Abdixhiku: Qeveria Kurti më antikushtetuesja që ka pasur Kosova

Aktuale

Abdixhiku: Qeveria Kurti më antikushtetuesja që ka pasur Kosova

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:48
Lumir Abdixhiku

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar ligjin për çmimet tavan për produktet bazë si të papërshtatshëm me Kushtetutën e vendit.

Kreu i  LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendimin e Kushtetueses e ka quajtur si një hap drejt mbrojtjes së lirisë ekonomike të Republikës së Kosovës.

Abdixhiku ka akuzuar Qeverinë për paaftësi dhe për tentativën e vetëdijshme për të shkelur Kushtetutën.

“Siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë EDHE NJË LIGJ, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social, Facebook.

“Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën”, ka shkruar tutje ai.

Abdixhiku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat për mburrjen me një ligj të shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Kryeministri e ministrat rend mburreshin me këtë ligj. Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë. Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj,” ka shkruar Abdixhiku.

Tri partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovë patën kundërshtuar ligjin e hartuar nga Qeveria e Kosovës për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore.

Ndërsa, Qeveria kishte deklaruar se ligji ishte hartuar për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

Sipas Qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ligji, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat