Drejtori ekzekutiv i Qendrës Evropiane për çështje të Minoriteteve, Adrian Zeqiri, deklaroi se pasaportat e Serbisë të leshura për qytetarët e Republikës së Kosovës, teknikisht do të duhej të ishin të papranueshme për Komisionin Evropian.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ai u shpreh se shpresojmë që tash me liberalizimin e vizave të mos ketë asnjë argument objektiv dhe të të drejtave të njeriut që këto pasaporta të njihen.
“Në vazhdën e normalizimit të marrëdhënieve dhe marrëveshjes bazike, Komisioni Evropian gjithsesi që nuk do të duhej t’i njihte këto pasaporta. Këta qytetarë janë të Republikës së Kosovës dhe Kosova me liberalizimin e vizave nuk do të kishte asnjë arsye që këto pasaporta të njihen”.
“Njihen vetëm në rast se lëshohen si qytetarë të Republikës së Serbisë apo përmes një marrëveshjeje si e ka Kosova me shtetet tjera, me një marrëveshje të dyshtetësisë që pranohet prej të dyja shteteve”, deklaroi Zeqiri.