Profesori Enver Bytyçi në një shkrim të tij në rrjetin social Facebook, bëri analizën e disa ngjarjeve ndër vite, të cilat për qëllim kishin dëmtimin e Kosovës.
Së pari, ai përmendi tentativat e shtetit serb për të destabilizuar situatën në Kosovës, derisa tha se atë e ka pushtuar prej shekujsh urrejtja kundër shqiptarëve.
Gjithashtu, profesori nuk harroi ta cek edhe planin për ndarjen dhe shkembimin e territoreve, të cilin e mbeshtetit ish-presidenti Thaçi në të kaluarën, transmeton “Bota sot”.
Sipas tij, ky plan kishte qëllim krijimin e “Serbisë së Madhe”, por që fatmirësisht dështoi dhe nuk u realizua.
Ndër të tjera, Bytyçi, foli edhe për “Ballkanin e Hapur”, projekt ky që dështoi.
“Pavarësisht këtyre kauzave, tashmë të fituara, për të cilat koha na dha të drejtë, më vjen shumë keq që iniciativat e lartpërmendura e dëmtuan rëndë pozitën e shqiptarëve e sidomos të Kosovës në raport me Serbinë. Energjia e harxhuar edhe nga liderët tanë politikë në këto drejtime dha rezultate negative për ne. Kjo është një histori tragjike, e cila do të shënohet si njollë turpi në politikën më shumë se njëshekullore të shqiptarëve!” – shkroi ndër të tjera professor Bytyçi.
Postimi i plotë
Koha nuk ka mëshirë!
1. Thamë prej vitesh se është gabim që Shqipëria dhe liderët e saj politikë të bëhen bashkë me Serbinë kundër Kosovës! Kanë kaluar dhjetë vite që e përsërisim vazhdimisht këtë sentencë dhe koha provoi se kishim të drejtë. Ajo po na dëshmon çdo ditë e më shumë se me Serbinë nuk ka paqe, sepse atë e ka pushtuar prej shekujsh urrejtja kundër shqiptarëve. Beogradi i do vetëm "shqiptarët e ndershëm", që bashkëpunojnë me të dhe i shërbejnë atij!
2. Thamë që në janar 2018, kur Bekim Çollaku i Hashim Thaçit pati thënë se "do të bëhen kompromise të dhimbshme", se ndryshimi i kujfijve dhe ndarja e Kosovës është tragjedi jo vetëm për shqiptarët, por edhe për paqen e stabilitetin rajonal e europian. Thamë edhe se ajo iniciativë e përkrahur nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama, ka për qëllim krijimin e Serbisë së Madhe! Tashmë e kanë pranuar këtë të vërtetë edhe shumë përkrahës të asaj iniciative pro-serbe dhe pro-ruse. Por ne na thonin para gati gjashtë vitesh se "Doni apo nuk doni ju, Kosova do të ndahet, e kjo nuk varet nga ju"! Mendonin se amerikanët ishin pro kësaj ideje dhe na quajtën ne madje edhe anti-amerikanë!
3. Kur në Novi Sad të Serbisë u mblodhën Aleksandër Vuçiç, Edi Rama dhe Zoran Zaev dhe krijuan "Minishengenin", të nesërmen e asaj dite e deri në fund kemi mbrojtur tezën se Minishengeni e më pas Open Balkan ishte iniciativë për të promovuar dominimin e Serbisë në Ballkan dhe për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës. Sërishmi koha na dha të drejtë. Open Balkan u shpall i varrosur nga vetë krijuesit e tij. Por nën presionin e atyre që e kundërshtuan dhe pasi konsumoi energji të shumta anti-shqiptare.
Pavarësisht këtyre kauzave, tashmë të fituara, për të cilat koha na dha të drejtë, më vjen shumë keq që iniciativat e lartpërmendura e dëmtuan rëndë pozitën e shqiptarëve e sidomos të Kosovës në raport me Serbinë. Energjia e harxhuar edhe nga liderët tanë politikë në këto drejtime dha rezultate negative për ne. Kjo është një histori tragjike, e cila do të shënohet si njollë turpi në politikën më shumë se njëshekullore të shqiptarëve!
Koha është e pamëshirshme! Sepse historia shkruhet për çdo kohë dhe hapësirë të caktuar!