Ishte duke fjetur në dhomën e tij në Dijon të Francës.
Por, një përplasje mes dy bandave para banesës së Veli Sadikut, doli të jetë tragjike për të.
Ish-ushtari i UÇK-së, u godit për vdekje nga një plumb mesnatën e së dielës.
Të shtënat, sipas prokurorisë së Dijonit, erdhën nga një veturë në lëvizje.
Një person është qëlluar për vdekje nga një prej plumbave që kanë kaluar nga dritarja e shtëpisë së tij dhe që e ka goditur në krah teksa ishte shtrirë në shtratin e saj pasi dhoma kishte pamje nga jashtë. Edhe pse ende nuk mund të nxjerrim konkluzione, viktima duket se ka nuk ka qenë fare objektivi i këtyre të shtënave, tha Oliver Caracotch, Prokuror i Dijonit.
Sipas prokurorit të rastit, të pranishëm në momentin tragjik ishin edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Këta të fundit që ndodhën në Francë, të tronditur nga rasti, nuk kanë pranuar të flasin.
Por, fjalë të mira për 55 vjeçarin, kanë fqinjët në fshatin e tij të lindjes.
Kushëriri i ish-ushtarit të UCK-së për TËVË1 thotë se lajmi për vrasjen e tij, e tronditi fshatin Rashan të Mitrovicës së Jugut.
“Ky lajm për neve është shumë i rëndë, ka qenë njeri shumë i mirë dhe familje shumë e mirë. 1:30 e kemi pi nga një kafe, kemi pushuar i vëllai i tij mi ka dhënë nja 10 euro për qejf”, tha kushëriri i viktimës, Sejdi Qela.
Fjalë të mira për ish-bashkëluftëtarin kanë edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës në Mitrovicë.
“Me të marrë lajmin, jemi ndjerë shumë keq. Ka qenë njeri shumë i mirë dhe askush nuk e di një fjalë të keqe për të”, tha Sanije Musa nga OVL e UÇK-së në Mitrovicë.
Veli Sadiku në kohën e luftës i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare.