Deputeti i VV’së, Mefail Bajqinovci i ka reaguar deputetës së LDK-së, Hykmete Bajrami e cila sot për GazetaBlic tha se nuk përjashtohet mundësia që Ligji për Fondin Sovran të dërgohet në Kushtetuese nga LDK-ja.
Bajqinovci përmes një shkrimi në “Facebook” shkruan se Bajrami para pak ditësh tha se Fondi Sovran është premtim i parealizuar i Qeverisë Kurti.
“Deputja e LDK-së, Hykmete Bajrami që para disa ditësh e listonte Fondin Sovran si premtim të parealizuar të Kurtit, sot paska paralajmëruar se Fodin Sovran do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuse me qëllim për ta pamundësuar formimin e tij”, shkruan Bajqinovci.
Tutje, Bajqinovci shton se Fondi Sovran ka qenë pjesë e programit qeverisës Kurti 1, i negociuar me LDK-në, i votuar nga kabineti qeveritar ku Bajrami ka qenë ministre.
“Po ia rikujtoj koleges Bajrami që Fondi Sovran ka qenë pjesë e programit qeverisës Kurti 1, i negociuar me LDK-në, i votuar nga kabineti qeveritar ku ajo ka qenë ministre.
Opozitë inatçore. Fondi sovrani do të bëhet”, përfundon reagimi i Bajqinovcit.