Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka vlerësuar se koha po e kërkon sërish veprimtarin e çështjes kombëtare dhe themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemali.
Në 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Ngjela ka thënë se Qemali u duhet shqiptarëve për çështjen e bashkimit kombëtar, përcjell Bota sot.
“Pavarësia e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me figurën e Ismail Qemalit. Sepse ishte kapja gjeniale e tij, që brenda kontradiktave të kohës që kishin fuqitë e mëdha, me gjenialitet, krijoi mundësinë e pavarësisë. Koha po e kërkon sërish, por këtë herë për bashkimin kombëtar të dy shteteve shqiptare në Gadishullin Ilirik...
Gëzuar 28 nëntorin, festën e pavarësisë së Shqipërisë”, ka shkruar avokati Ngjela në një postim në Facebook.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.