Ceremoni zyrtare për 111-vjetorin e Pavarësisë, Rama dhe Kurti bashkë në Vlorë

Aktuale

Ceremoni zyrtare për 111-vjetorin e Pavarësisë, Rama dhe Kurti bashkë në Vlorë

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 10:33 Përditësuar në ora: 12:55 më 28.11.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Albin Kurti: Të punojmë për idealet e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Vlorë për të festuar 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nga qyteti i flamurit, Kurti u shpreh se të gjithë duhet të punojnë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, Ismail Qemalit nga Vlora dhe Adem Jasharit nga Prekazi.

“Gëzuar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, këtë festë të madhe të Flamurit e të lirisë, të Pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan e në mërgatë. Lavdi dëshmorëve të kombit, sot është ditë pushimi, feste, e çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet, synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora e të Adem Jasharit nga Prekazi. Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucional të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë për të bërë homazh tek varrezat e Jasharajve, në krye me komandantin Adem Jashari. Dje kishim ditën e Ushtrisë së Kosovës, dhe për shkak se gjithë këto aktivitete nuk mund t’i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar”.

Sa i përket komente politike, Kurti i shmangu duke thënë se sot nuk është dita.

“Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike apo polemikat aktuale. Sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, e kanë të përbashkët historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë. Kemi shumë ditë të tjera përgjatë vitit për temat”.

Politika e përçarë edhe në festën e Pavarësisë, Berisha zbulon nëse mori ftesë nga kryeministri Rama

Politika shqiptare ka qenë e përçarë edhe në festën e Pavarësisë, ku kreu i qeverisë Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë veç e veç homazhet në varrin e Ismail Qemalit në Vlorë.

Berisha deklaroi se nuk kishe marrë ftesë nga Rama për t’iu bashkuar në homazhet në monumetin e Pavarësisë.

Por ish-kryeministri theksoi se edhe nëse do të kishte marrë ftesë me Pashiqin, siç iu drejtua ai Ramës, nuk do të bëhej kurrë në varrin e Ismail Qemalit.

“Shqiptarët, kur një e treta e kombit në një hark kohor 8-vjeçar, ka braktisur Shqipërinë, janë në një diktaturë të egër, e cila po e shkreton Shqipërinë.

Ndaj dhe kjo është një ditë që duhet t’i bashkojë shqiptarët, të betohen para Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të pavarësisë, se Shqipëria nuk do jetë më e sunduar nga Pashiqi apo vëllai i Vuçiçit siç e quajnë në Kosovë, apo argati i Beogradit, siç e kanë quajtur rëndom në Tiranë, Edi Rama…

Nuk kisha asnjë ftesë, pro edhe po të kisha ftesë, me Pashiqin te varri i Ismail Qemalit nuk do vija kurrë. Si mund të bashkohem bashkë me atë, i cili ndjek po atë linjë të viteve të fillimit të shekullit të ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve. Nuk ka bashkim me të, ka betejë pa kthim gjer në largimin e tij në Beograd”, u shpreh Berisha.

Ai u zotua para varrit të Ismail Qemalit se kryeministri Edi Rama ka vendosur kurorën e fundit aty.

Ish-kryeministri e quajti Ramën një tradhtar të kombit, teksa shtoi se “shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin”.

“Sot, mbarë shqiptarët, kudo që janë, përulen me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, para veprës së pavdekshme të Ismail Bej Vlorës, ditës së Flamurit Kombëtar, ditë e të gjitha ditëve të kombit shqiptar.

Me aktin e tij të një vizioni dhe kurajo të jashtëzakonshme, Ismail Bej Vlora, bëri të mundur ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Pa këtë akt, Shqipërinë dhe shqiptarët i prisnin greminat, honet e historisë. Sot, ata janë anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur.

Por unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail Bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin.

Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç.

Gëzuar qytetarë dhe qytetare të Vlorës, gëzuar shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni, këtë ditë të bekuar, këtë feste të të gjitha festave tona. Rroftë flamuri ynë, nderim përjetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të pavarësisë”, tha Berisha.

Rama dhe Kurti shtrëngojnë duart në Vlorë

Kryeministri i Shqipērisë Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti janë takuar në Vlorë me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë.

Dy kryeministrat shqiptarë kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin pas homazheve pranë monumentit simbol të kurorëzimit të perpjekjeve shekullore për lirim.

Të pranishëm ishin edhe presidenti Begaj, kryeparlamentarja Nikolla dhe kryebashkiaku vlonjat Ermal Dredha.

Pas Ramës e Kurtit, Berisha mbërrin në Vlorë, kryen homazhe në monumentin e Pavarësisë: Betohem se pashiqin do e paketojmë në Serbi

Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në monumentin e Pavarësisë në Vlorë. Në këtë 111 vjetor të Pavarësisë, Berisha ka vendosur lule në monumentin pranë Sheshit të Flamurit.

“Sot mbarë shqiptarët përulen me mirënjohjen e pakufishme, nderimin më të madh para veprës së pavdekshme të Ismail Bej Vlorës.

Erdha të betohem, se pashiqi shqiptar që sapo ka vendosur kurorën aty e ka të fundit, sepse shqiptarët do ta paketojnë atë në Beograd aty ku e ka vendin. Tradhtar si ky kombi nuk ka pasur. Ky është betim solemn para babait të Pavarësisë”, u shpreh Berisha në një komunikim për mediat.

Kujtojmë se më herët u mbaj ceremonia e ngritjes së flamurit, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram, Begaj, kryeministri Albin Kurti e zyrtarë të tjerë.

Rama dhe Kurti bashkë në Vlorë

Dita e Flamurit kremtohet dhe nderohet sot nga mbarë shqiptarët, si festa e krenarisë kombëtare dhe përkujtimit të 111 vjetorit të Pavarësisë.

Vlora mikpriti, siç e do tradita, qindra qytetarë, në ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar dhe me praninë e personaliteteve më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët nderuan aktin e lartë kombëtar të shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama, vendosi një kurorë me lule dhe u përkul me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.

Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat