Më shumë trupa: Çka po paralajmërojnë NATO e ShBA-ja për veriun?

Aktuale

Më shumë trupa: Çka po paralajmërojnë NATO e ShBA-ja për veriun?

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 22:48
KFOR

Siguria në Kosovë duket se nuk është e qëndrueshme. Një gjë të tillë lihet të kuptohet nga njoftimi për mundësinë e rritjes së pranisë së përhershme të trupave ushtarake të NATO-s në në veri. Madje, sot Gjermani e konfirmoi se do të dërgojë edhe 150 ushtarë në KFOR.

Dje ShBA paralajmëroi Serbinë dhe Kosovën se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n. Ndërsa, sot siguria e vendit tonë ishte teme e takimit të ministrave për Punë të Jashtme të NATO-s.

Këto zhvillime erdhen pas paralajmërimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riorganizim të struktuarave paramilitare me krye me Milan Radoijçiqin, por edhe pas paralajmërimeve tjera se Rusia po synon të nxisë konfilikt në Ballkanin Perëndimor. Çka po ndodhë?

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka thënë sot se në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Gaza dhe Lindjen e Mesme.

“Ne do të riafirmojmë fuqimisht mbështetjen tonë për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon të përballet me luftën e agresionit të Rusisë. Ne do të shikojmë samitin e vitit të ardhshëm në Uashington për të festuar 75-vjetorin e NATO-s, por jo vetëm të festojmë atë përvjetor të vazhdojë, për të çuar përpara Aleancën, duke përfshirë angazhimet që anëtarët e saj po bëjnë për mbrojtjen tonë kolektive. Ne kemi shumë punë që do të bëjmë, siç thatë edhe ju, në Ballkanin Perëndimor, me partnerët tanë për NATO-n nga e gjithë bota, duke përfshirë Azi-Paqësorin, dhe sigurisht që do të flasim për krizën në Gaza dhe më gjerë në Lindjen e Mesme”, tha Blinken.

Për sigurinë në Ballkanin Perëndimor ka folur edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Borell ka deklaruar se KFOR-i dhe EULEX do të vazhdojnë bashkëpunimin për stabilitet në veri të Kosovës.

Këto deklarata, ai i ka bërë pas takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, ku një prej temave të diskutimit, ishte edhe Ballkani Perëndimor.

“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE-në. Shumë anëtarë të bllokut janë të angazhuar për stabilitet në këtë rajon dhe shumë shtete të këtij rajoni janë kandidate. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme është shumë e rëndësishme për ne. Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës.” – u shpreh ai.

“Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe po përballen me momente të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet dhe siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë.” – ka thënë ai.

Ndërsa, James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, dje ka paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.

“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë, përcjell Radio Evropa e Lirë.

E, Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg dje në një konferencë për media pas mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare të Aleancës për Atlantikun e Veriut ka thënë se NATO është duke rishikuar mundësinë rreth një shtimi afatgjatë e më të qëndrueshëm të pranisë së trupës paqembajtëse të saj në Kosovës pas dhunës serioze në veri të Kosovës.

“Mesazhi im është që NATO do të bëjë çmos për të mirëmbajtur stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme për NATO-n. Kemi histori aty, kemi prezencë aty dhe veç shtuam praninë kohëve të fundit në Kosovë duke shtuar 1 mijë trupa shtesë”, ka thënë Stoltenberg.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat