Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ka shfrytëzuar takimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mblodhën në Bruksel, për të marrë mbështetje në procesin e ndërmjetësimit me të cilin ai është i ngarkuar.
Lajçak njoftoi se është takuar me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, të cilën e falënderoi për mbështetjen e shtetit të saj.
“E mirëprita mundësinë e djeshme për të diskutuar për dialogun dhe shtytjen e ripërtërirë për ta bërë realitet perspektivën europiane për Ballkanin Perëndimor me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës!”, ka shkruar Lajçak në X.
Në takimin e ministrave të NATO-s në agjendë ishte edhe diskutimi për Ballkanin Perëndimor.