Në dhunë ka eskaluar protesta e organizuar të mërkurën nga Partia Socialdemokrate kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila gjatë qëndrimit në Kosovë po zhvillonte një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Anëtarë të PSD-së porsa përfunduan fjalimet politike kundër Gjykatës Speciale, hodhën mjete shpërthyese dhe tymuese ndaj pjesëtarëve të Policisë sëKosovës, të cilët në numër të madh po e ruanin objektin ku po mbahej takimi i Trendafilovës me shoqërinë civile. Kjo nxiti reagimin e njësive më elite të policisë të cilët arrestuan kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë anëtarëve të tjerë të kësaj partie. Policia shpërndau pjesën tjetër të protestuesve përmes gazit lotsjellës dhe sprejt, ku nuk kursyen as gazetarët, me ç’rast disa prej tyre edhe u lënduan.
Paraprakisht, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, është e padëshiruar në Kosovë, pasi e njëjta ka një qëllim politik që me paraqitë UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Ai tha se sa herë që Kosova është afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka përndjekje të ushtarëve të UÇK-së.
Molliqaj: Sa herë që Kosova është afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka përndjekje të ushtarëve të UÇK-së
“Jemi mbledh sot këtu me kundërshtuar ardhjen e kryetares së Dhomave të Specializuara. Ajo çka mundemi me thënë është e qartë. Sa herë që kemi qenë më afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka pasur përndjekje të ushtarëve të UÇK-së. Sa herë kanë dashur me na barazua Kosovën dhe Serbinë janë përndjekur ushtarët e UÇK-së...E di që dikujt mundet me iu dukë jo logjike, por është thellësisht politike. Bash tash kur Serbisë nuk po ia kërkojnë njohjen e Kosovës dhe bash tash kur po ia japin autonominë e serbëve në Kosovë, krerët e UÇK-së janë në Hagë. Këtu vepra për çka këta akuzohen janë vepra të vjetra të UNMIK-ut të vitit 2000-2001, por tash që duhet me u afrua me Serbinë tash duhet ushtarët e UÇK-së me i përndjek”, tha ai.
Molliqaj akuzoi edhe kryeministrin Albin Kurti se po i gëzohet qëndrimit në Hagë të ish krerëve të UÇK-së. Ai tha se bash tash kur ish krerët e UÇK-së po qëndrojnë në Hagë, Kurti po i jep autonomi serbëve në Kosovë.
Molliqaj: Duhet të mbrohet UÇK-ja që mos të vjen autonomia
“Arrestimi i Thaçit dhe të tjerëve që janë në Hagë ka qenë i mundshëm vetëm pas një fryme që erdh me Lëvizjen Vetëvendosje. Hetimet kundër tyre kanë ndodhur shumë moti dhe gjykata është themeluar më herët, por kur e panë që populli po e mbështet një subjekt politik që nuk e mbështet luftën e UÇK-së-së e panë që është e mundshme”, theksoi Molliqaj.
Pas qetësimit të situatës, nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati kërkoi lirimin e Molliqajt dhe të arrestuarve të tjerë, derisa akuzoi policinë se është instrumentalizuar nga vendimet politike dhe se ka përdorur dhunë joproporcionale ndaj protestueseve.
Ai shtoi se qëllimi ka qenë kundërshtimi i vizitës së Trendafilovës përmes metodave simbolike, derisa tha se hedhja e mjeteve shpërthyese dhe tymuese ndaj policisë ka mundur të bëhet në krye veti nga protestuesit.
Kastrati: Të lirohen të arrestuarit, policia ka përdorur dhunë joproporcionale
“Policia e Kosovës dhe institucionet kanë përdorur një dhunë joproporcionale. Një aksion simbolik kanë fillua me njësitet më elite të policisë duke përdorur gaz lotsjellës dhe sprej, e cila në një moment iu drejtua gazetarëve që me krijua frikësim dhe disiplinim tek krejt ata që e kundërshtojnë Gjykatën Speciale...Ne kërkojmë që duhet me u liruar krejt aktivistët e arrestuar. Janë gjashtë gjithsej sa e dina deri tash duke përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Agroni, Genti dhe Korabi. I ftojmë policinë që të lirohen ata menjëherë pasi ky ka qenë një aksion pa qëllim me dëmtua dikë apo diçka tjetër, por ka qenë aksion me tregu se këtu ka pakënaqësi ndaj një gjykate që po mundohet me u imponuar dhunshëm dhe me paraqit UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale...PSD-ja ka bërë një aksion dhe reagim brenda metodave simbolike dhe kundërshtimit. Tash unë nuk e di çka ka ndodh krejt, ka mundur dikush që ka bërë në krye në veti”, theksoi Kastrati.
Ai paralajmëroi se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera në kundërshtim të Gjykatës Speciale.
Pasi u shpërndanë protestuesit në teren dolën edhe zyrtarët e forenzikës të cilët e ekzaminuan vendin ku ka ndodhur protesta dhe mblidhnin provat ku u hodhën mjetet shpërthyese dhe tymueset.