Edhe pse kanë kaluar 24 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon të rritet nga viti në vit.
Nga 36 mijë e 766 që ishte në tetor të vitit 2022, në tetorin e këtij viti, shifra ka arritur fiks në 36 mijë e 800 veteranë.
Kësisoj për këtë periudhë kohore, numri i veteranëve është rritur për 34 persona, raporton Gazeta10.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/November/29/auto_li1701284386.png)
Këto të dhëna janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Fryrja e listave të veteranëve është kritikuar vazhdimisht nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo parti ishte zotuar se me ardhjen e tyre në pushtet, do të bënte pastrimi i listave nga ‘veteranët e rrejshëm’.
Mirëpo, edhe pse po bëhen gati tri vjet që kur Vetëvendosje po qeveris me vendin, pastrimi i listave nuk ka qenë në agjendën e tyre, kurse numri i veteranëve po vazhdon të rritet edhe këtë kohë.