Gruaja që u vra mbrëmë në Prishtinë kishte nënshtetësi të Suedisë, reagon deputeti suedez që e njihte atë dhe familjen

Aktuale

Gruaja që u vra mbrëmë në Prishtinë kishte nënshtetësi të Suedisë, reagon deputeti suedez që e njihte atë dhe familjen

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 11:27
Gruaja

Vrasja që tronditi mbrëmë Prishtinën, e ku e vdekur ka mbetur një grua rreth të tridhjetave ka marrë vëmendje edhe në mediat suedeze.

Mediat atje raportojnë se viktima kishte edhe nënshtetësi suedeze.

I tronditur me vdekjen e saj është shprehur deputeti suedez, Magnus Jacobsson, i cili siç raporton mediumi suedez Expressen, njeh personalisht viktimën dhe familjen e saj.

“Nuk e kuptoj si mund të ndodhë. Është e tmerrshme. Më vjen keq për humbjen dhe mendimet e mia janë me familjen”, ka thënë ai teksa ka publikuar foton e viktimës me bashkëshortin e saj, ky i fundit ish-këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Si ndodhi rasti?

Fillimisht mbrëmë Policia bëri të ditur se një grua është vrarë nga të shtënat me armë zjarri. Rasti ka ndodhur rreth orës 20:20, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Sinidoll.

Rasti është klasifikuar si “vrasje me pasoja të grabitjes”. Sipas Policisë derisa viktima ndodhej në veturë bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, një person i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë.

Në këtë rast viktima është qëlluar me armë zjarri për vdekje.

Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, i cili ka thënë në polici se kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre.

I dyshuari për aktin është në arrati.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se janë angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj tha se deri tani dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, dhe se trupi i viktimës tanimë është dërguar për obduksion.

“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Dalip Alshiqi” Prishtinë, ju njoftojmë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, ku nga nata kritike e në vazhdim, Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Ulaj.

Kjo ishte vrasja e dytë gjatë natës së mbrëmshme në kryeqytet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat