Vrasja tronditëse e gruas në Prishtinë, grabitësit akoma në arrati

Aktuale

Vrasja tronditëse e gruas në Prishtinë, grabitësit akoma në arrati

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 21:35
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia ka rrethuar gjithë vendin e ngjarjes në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë ku ndodhi një vrasje e rëndë.

Liridona Murseli mbeti e vrarë, pasi ajo bashkë me burrin e saj dhe fëmijët u bënë cak i një grabitjeje.

Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi.

“Me të pranuar informatën nga policia, prokurori kujdestar nga departamenti i krimeve të rënda, i është përgjigjur vendit të ngjarjes, bashkë me njësitë relevante. Dhe nga vendi i ngjarjes është konstatuar vdekja e viktimës, pra më konkretisht nga ekipi mjekësor”, ka thënë Laureta Ulaj – Zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tregon se pista në të cilën po zhvillohen hetimet, është ajo e vrasjes nga grabitësit.

“Nga dyshimet fillestare e gjithë ngjarja na çon drejt një grabitjeje me pasojë të vrasjes, mirëpo hetimet janë duke u ndërmarrë me institucionet relevante dhe mbesim në pritje të raporteve”, vijoi ajo.

Në një deklaratë të dhënë në polici, burri i të ndjerës, Naim Murseli ka thënë se nuk ka parë asgjë nga momenti kritik.

Murseli ka deklaruar se kur u përballën me grabitësit, ai i mori fëmijët për t’i larguar nga vendi i ngjarjes. Përgjatë kësaj kohe, ai ka thënë se ka dëgjuar disa të shtëna, të cilat ishin fatale për bashkëshorten e tij.

Në një deklarim për media, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se Liridona Murseli ishte me familjen e saj të ngushtë në kohën e kësaj tragjedie.

Viktima ishte edhe shtetase e Suedisë. Prandaj, për rastin ka reaguar edhe deputeti i Parlamentit të Suedisë, Magnus Jakobsson, i cili ka shkruar në Facebook se është shokuar me lajmin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat