Profesori Enver Hasani, i cili ka qenë edhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka thënë për korrespodentin e Euronews Albania në Prishtinë, Kosovë Gjocin, se përmendja e rezolutës 12-44 në draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbë në veri, është një rrezik.
Sipas Gjocit, ai tha se rezoluta 12-44 nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Gjoci shtoi se Hasani i trembej draft-statutit për asociacionin, pasi sipas tij, ai mund të jetë një lloj kushtetute e re brenda asaj aktuale në Kosovë, gjë që do të minonte punën e institucioneve.
“Kam folur me Profesorin Enver Hasani, ish-kryetarin e Kushtetueses së Kosovës. Shqetësim sipas tij është që në draft-statutin për asociacionin përmendet edhe rezoluta 12 44, e cila qysh në preambul sipas profesorit, rrezikon sovranitetin, pasi kjo rezolutë nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Ai ka frikë gjithashtu se ky statut është një akt nënligjor, jo ligj. Pra ai i trembet se bëhet fjalë për një lloj Kushtetute të re Brenda Kosovës.
Pra organet qëndrore në Kosovë nuk do të kenë shumë mundësi për të ndërhyrë, në çështjet që do i ketë në fuqi ky asociacion. Ky do të ketë njëlloj fuqie që tejkalon fuqinë e organeve qëndrore, që të ndëryjnë, kur bëhet fjalë për komunat me shumicë serbe”, është shprehur gazetari Kosovë Gjoci.