Edhe ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka reaguar ashpër pas arrestimit të Naim Murselit, si i dyshuar për planifikimin e vrasjes së gruas së tij, Liridona Murselit.
Peci ka treguar se sa ishte ambasador në Suedi, nuk i kishte dhënë hapësirë për afërsi Murselit, përcjell Bota sot.
“Njeri më të ligë se ky Naim Murseli nuk e di se a mund të ketë mbi tokë. Dënim maksimal për këtë monstrum që porositë vrasje të gruas dhe shkatërron jetën e fëmijëve të vet, duke e përjetuar vrasjen e nënës së tyre! Vrasje më të ulët me paramendim nuk e di se a mund të ketë!
Ndjehem disi në paqe që këtij monstrumi nuk i kam lënë asnjë milimetër hapësirë për afërsi sa kam shërbyer si ambasador në Suedi”, ka shkruar në Facebook ish-ambasadori për ish-këshilltarin e Behgjet Pacollit.
Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë tre të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, i cili dyshohet se e ka porositur vrasjen e saj.
Policia ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë.
Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro që t’ia vrasë gruan. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë, e 15 mijë të tjera pas vrasjes.
Zyrtarisht ende s’ëhtë konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjecares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen dhe se edhe Murseli e ka pranuar këtë para hetuesve.