Profesori Blerim Latifi ka akuzuar ashpër burrat që vrasin gratë.
Duke iu referuar rastit të vrasjes së Liridonës nga burri i saj, ai ka bërë me dije se ata që bëjnë veprime të tilla janë barbarë që fizikisht jetojnë në shekullin 21.
Në profilin e tij në “Facebook”, Latifi ka shkruar se të tillët mentalisht u përkasin shekujve kur gratë jetonin dhe vdisnin si pronë e burrave të egër.
“Ishte dikur një kohë e zymtë. Kohë e shtypjes dhe e poshtërimit kolektiv. Por edhe kohë ëndrrave të mëdha. Ëndrrave për liri, për ngadhnjim mbi të keqen. Dhe këto ëndrra prindërit i shprehin duke u vënë vajzave të tyre emra Liridona, Fitore, Liri... Pa menduar se kur ëndrra e tyre do të përmbushej një ditë, barbarë të rinj do të shfaqeshin për t'ua shuar mizorisht ëndrrat këtyre vajzave. Barbarë që fizikisht jetojnë në Shekullin 21, por mentalisht u përkasin shekujve të largët, shekujve kur gratë jetonin dhe vdisnin si pronë e burrave të egër”, ka shkruar Latifi.