Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz

Nga: Bota sot Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 09:36 më 03.12.2023
Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz

Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë sillen në gjykatë

Naim Murseli i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj dhe dy të dyshuarit e tjerë, tashmë janë dërguar në sallën ku pritet të mbahet seanca fillestare.

Të njëjtit janë dërguar brenda objektit nga hyrja tjetër ku nuk ishin të pranishëm mediat.

Familjarët e Liridona Ademajt, tashmë janë mbledhur para objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të nisë seanca gjyqësore.

Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Masa më të larta sigurie

Familjarët e Liridona Ademajt kanë arritur në Gjykatën Themelore të Prishtinës aty ku pritet të dalin para gjykatës bashkëshorti Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë për vrasjen e saj.

Media raporton se para gjykatës janë marrë edhe masa më të larta sigurie.

Seanca dëgjimore është planifikuar të fillojë nga ora 09:30.

Ndërkaq, Prokurorja e Shtetit ka përpiluar kërkesën për paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerëve që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Fillimisht, Policia e Kosovës e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

​Vëllai i Liridona Ademajt arrin gjykatë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë nis të hynë avokatë dhe familjarë. Aty është parë teksa hynë edhe vëllai i Liridona Ademjajt, Leonardi. Seanca gjyqësore ndaj bashkëshortit të Liridona Ademajt, Naim Murseli si organizator i vrasjes, dorasit Granit Plavës dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së, pritet të nis në orën 9:30.

Deri tash, sipas informatave, ende nuk kanë arritur të dyshuarit për këtë vrasje të planifikuar. Kurse, në orën 09:30, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bashkë me aktivistë feministë të pavarur, do të organizojnë një aksion simbolik pranë Pallatit të Drejtësisë, ku do të zhvillohet seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt.

Pas përfundimit të seancës, gjykatësi i procedurës paraprake pritet të caktojë nga një muaj paraburgim për të dyshuarit.

Sot dalin para gjykatës tre të dyshuarit për vrasjen e Liridonës

Seanca dëgjimore ndaj tre të arrestuarve për vrasjen e Lirodona Ademaj-Murseli do të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke filluar në orën 9:30.

Tashmë është bërë e ditur se prokurorja e Shtetit ka përpiluar kërkesën për paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerëve që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli.

Ndërsa, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë të ditur se do të organizojë aksion simbolik pranë Pallatit të Drejtësisë, ku do të zhvillohet seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademi-Murseli.

Familja e Liridona Ademajt-Murseli, e cila dyshohet se u vra me porosi nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, ka një thirrje publike për institucionet e Kosovës që trupi i familjares së tyre të prehet në vendlindjen e saj.

“Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet”, ka shkruar Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës.

Trupi i Liridona Ademajt u varros të premten në Cermjan të Gjakovës, nga vjen bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Por pas arrestimit të Murselit si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë ta zhvarrosin trupin.

“Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonën ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj”, ka theksuar Leonard Ademaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat