Dëshmitarit i prezantohet një dokument që thuhet se në dukje është aktakuzë ndaj Blerim Kuçit, thotë që s’e di se kishte Prokurori apo Gjykatë Ushtarake
Duke folur për ish-veprimtarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së, Blerim Kuçi, për të cilin u tha se kishte dezertuar, dëshmitarit Sadik Halitjaha iu prezantua edhe një dokument që dukej si aktakuzë e vitit 1999 për këtë të parin.
“Kjo në dukje është një aktakuzë ndaj Blerim Kuçit nga prokurori apo prokurorja e përgjithshme ushtarake që i përcjellët Gjykatës Ushtarake”, tha gjyqtari Guénawl Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se nuk është në dijeni që ka pasur prokurori ose gjykatë ushtarake.
“Në bazë të asaj që shihet është shumë e saktë, por unë nuk e di se kush është Arben Sejdiu që është dashtë ta nënshkruajë, e që nuk e ka nënshkruar në fund të faqes dhe unë nuk i njohë këto ligje që thotë ligji kaq, kaq. A janë ligje ndërkombëtare apo ku i kanë marrë apo ligjet Jugosllave apo ndonjë shteti tjetër, nuk e di në çka janë thirrë. Nuk ka pas Prokurori, nuk ka pas as gjykatë dhe as prokurori të përgjithshme”, tha Halitjaha.
Ndërsa gjyqtari Mettraux tha se në paragrafin e parë të këtij dokumenti, thuhet “Prokurori i përgjithshëm ushtarak në bazë të denoncimit të policisë ushtarake 16 janar 1999, i ka parashtruar Gjykatës Ushtarake kërkesë për zbatimin e hetimeve dhe caktimin e paraburgimit me datën 17 janar 1999”.
Për këtë gjë, dëshmitari Halitjaha tha se edhe po t’i kishin bërë edhe 3 vite luftë, nuk do të kishin arritur t’i krijonin këto sisteme të drejtësisë për të cilat thotë se nuk ka njohuri.