Haxhiu: Po presim dënimet më të larta, krimi mbi Liridonën është alarm që s’duhet të pushojë derisa të ketë drejtësi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”, ka folur për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj e cila u vra ditë më parë, derisa tha se “ishte një rast tjetër ku kemi të bëjmë me femicid”.
Haxhiu theksoi se pas një pune intensive mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë akterët e vrasjes së 30-vjeçares u arrestuan, teksa shtoi se priten dënimet më të larta për këtë krim.
Haxhiu tha para të pranishmëve në konferencë se si shoqëri s’duhet të jemi të qetë derisa të krijohet një shoqëri ku respektohet dinjiteti i vajzave dhe grave, e se krimi mbi Liridonës është alarm që s’duhet të pushojë derisa të kemi një shoqëri ku ka drejtësi e barazi.
“Kjo ngjarje e rëndësishme vjen pak ditë pas vrasjes së Liridona Ademajt, një tjetër vrasje e një gruaje e porositur nga bashkëshorti i saj, një tjetër ligësi që sjell vdekjen e një gruaje, një tjetër rast që kemi të bëjmë me femicid. Fatbardhësisht pas një pune intensive, akterët e vrasjes së Liridonës janë arrestuar dhe të gjithë presin dënimet më të larta për kryerjen e këtij krimi më të rëndë”.
“Dje ja dhamë lamtumirën e fundit Liridonës, por ne si shoqëri s’do të jemi të qetë derisa të krijojmë një shoqëri ku respektohet dinjiteti i vajzave dhe grave dhe jeta e tyre. Krimi mbi Liridonën është alarm qe s’duhet të pushoj derisa të mbrojmë një shoqëri ku ka drejtësi e barazi. Kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe të gjitha gratë tjera që u vranë nga bashkëshortët e tyre. Çështja e dhunës na përket të gjithëve dhe të gjithë kemi përgjegjësi ta luftojmë”.
Kurti: Duhen dënime meritore, s’mjafton vetëm arrestimi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt në konferencën që po mbahet sot “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”, ka folur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt dhe kidnapimin dhe më pas vrasjen e 14 vjeçares në Shkup.
Kurti ka thënë se “vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj” dhe “kidnapimi i 14 vjeçares” në Shkup kanë renduar mendjet dhe zemrat e të gjithëve.
Tutje numri një i Qeverisë së Kosovës ka thënë se porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridona Ademajt janë kapur e vënë prapa grilave, por thotë se vetëm arrestimi nuk mjafton.
Kurti ka thënë se Gjykatat duhet t’i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe se duhet dënim meritor.
“Vrasjet e fundit, vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj dhe kidnapimi dhe vrasja e 14 vjecares ne Shkup, na ka rënduar mendjet dhe zemrat tona. Porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridonës janë zënë e janë vënë prapa grilave. Policia syçelë si kurrë njëherë po vepron shpejt e me efikasitet të lartë. Por s’po mjafton vetëm arrestimi. Sepse ata po e dinë që ka raste të të ngjashme e jo të pakta, kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten edhe më rëndë se herën e parë. Kemi nevoje që krejt sistemi i Drejtësisë t’i bëjë prioritet rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave. Nuk kemi si ta themi që duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike e çfarë aspirojmë të mbesim përherë”, ka thënë Kurti.
Konferenca rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga të pranishmit që të mbajnë një minutë heshtje për Liridona Ademaj, e cili u vra ditë më parë.
Kurti deklaroi se duhet të ndodhë zbardhja e plot e rastit dhe dënim maksimal për vrasësit. Butësia e dënimit, siç tha ai, po shkakton përsëritjen e këtyre rasteve.
"Liridona Ademaj u rivarros dje, rivarrimi është një akt i drejtë. I shpreh edhe nga këtu ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe i uroj shëndet fëmijëve të saj", deklaroi Kurti.
Kurti shtoi se nuk mund të vendoset për jetën e askujt.
"Të gjithë njerëzit janë të lirë me të drejta të barabarta. Disa prej rasteve më të rënda, kanë qenë kur forcat serbe dhunuan gra. Në qendër të kryeqytetit tonë të Prishtinës e kemi memorialin "Heorinat", ne që përkulemi tek ai memorial kemi përgjegjësin që të luftojmë bashkë këto raste të shndërruara në dukuri. Është fakt që dhuna ndaj grace është fenomen global, është një dozë më e thellë e dhembshurisë kur femicidi shfaqet pas gjenocidit", shtoi Kurti.