Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se Kosova çdoherë e më poshtë në PISA.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se janë dëshpëruese rezultatet e Kosovës në PISA.
Halimi ka shtuar se Qeveria Kurti vetëm sa i ka kontribuar këtij dështimi duke mos nisur asnjë reformë domethënëse si dhe duke humbur shumë orë mësimi me grevat që mund të shmangeshin.
Postimi i saj i plotë:
Poshtë e më poshtë në PISA
Rezultatet më të fundit të Kosovës në testin PISA janë dëshpëruese! Në matematikë, shkencë e lexim, nxënësit tanë renditen në fund, në një rang me vende si Kamboxhia e Uzbekistani.
Shumë më mirë se ne qëndron madje edhe Ukraina që është gati që dy vite në luftë?!
Prandaj një vend që nuk e ka sistemin arsimor të etabluar, vështirë të prosperojë, ngase analfabetizmi funksional derivon shumë ngecje tjera shoqërore, si mungesë zhvillimi ekonomik e inflacion galopant si dhe vetëdije e ultë për shtetin.
Për më tepër, Qeveria Kurti vetëm sa i ka kontribuar këtij dështimi duke mos nisur asnjë reformë domethënëse si dhe duke humbur shumë orë mësimi me grevat që mund të shmangeshin.
Ky rezultat duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për institucionet, që të merren më seriozisht me këtë sektor përcaktues për të ardhmen e të rinjve dhe vet shtetit tonë.