Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka thënë se periudha më sfiduese për të drejtuar bujqësinë ka qenë në dy vitet e fundit.
Ai ka thënë se me sukses kanë arritur ta menaxhojnë periudhën më të ndjeshme për bujqësinë.
“Periudha më sfiduese për me qenë ministër i bujqësisë ka qenë në dy vitet e fundit, jo pse unë kam qenë Ministër i Bujqësisë, por për shkak se efekti i pandemisë, kriza energjetike dhe agresioni i Rusisë ne Ukrainë ka bërë që imputet bujqësore me u shtrenjtua deri në 300 për qind”, ka thënë Peci.
Ai ka thënë se përkrahja ndaj fermerëve ka dhënë edhe faktet e mira pozitive.
“Një hektar grurë në dy vitet e fundit mesatarisht është përkrahur me 474 euro”, ka thënë ministri Peci.
Ai ka thënë se pyetja më e shpeshtë që merr nga fermerët është ajo se pse ka rënë çmimi i grurit.
“Unë po ju them (fermerëve) se edhe mbi shpija tona me pas të mbjella me grurë, ne nuk jemi ekonomi që mundemi me ndikuar çmimin e grurit në berëzën globale. Aty e përcakton Ukraina, Rusia, Kanadaja, SHBA-ja, Australia, etj”, ka thënë Peci.