Ish presidenti i vendit Behgjet Pacolli ka reaguar pas lajmeve e spekulimeve të shumta në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt, vrasje kjo që dyshohet të jetë porositur nga ish këshilltari i tij, Naim Murseli.
Në një postim në Facebook Pacolli ka thënë se ka tendenca që tragjedia e Liridonës të përdoret për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për përfitime të ndjekësve e pëlqimeve në platformat mediatike.
Ai ka thënë se duhet të kundërshtohen deklaratat e paqëndrueshme dhe të pasakta, pasi kjo do të ndihmojë në ndritjen e nivelit të bisedës dhe transparencës.
Po ashtu, Pacolli ka treguar edhe njëherë arsyen e mospjesëmarrjes në varrimin e Liridonës.
Postimi i plotë:
Nga distanca shoh disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që përdorin tragjedi si kjo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të përvetësuar ndonjë pëlqim (like) në platformat mediatike.
Është e rëndësishme të ekspozohen dhe të kundërshtohen deklaratat e paqëndrueshme, pa fakte dhe të pasakta të disa “debatuesve” apo “analistëve” që njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve.
Kjo do të ndihmojë në ngritjen e nivelit të bisedës dhe transparencës së informacionit për publikun dhe seriozitetin e vetë medias.
Për ta sqaruar publikun, jam duke ndjekur një rrugë të gjatë dhe të planifikuar 6 muaj më parë, e cila më ka penguar të marr pjesë në varrim (për çka janë kujdesur vëllezërit, familja dhe bashkëpunëtorët e mi).