E konfirmon Zyra e Prokurorit të Specializuar: Jemi duke kryer në vazhdimësi bastisje në Kosovë

Aktuale

E konfirmon Zyra e Prokurorit të Specializuar: Jemi duke kryer në vazhdimësi bastisje në Kosovë

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 19:12
Gjykata Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se është duke kryer në vazhdimësi bastisje-operacione në Kosovë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se ZPS-ja po kryen operacione të vazhdueshme dhe se për këtë rast nuk ka ndonjë koment shtesë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke kryer operacione të vazhdueshme dhe nuk kemi asnjë koment shtesë”, ka thënë Bennett për Dukagjinin.

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes një postimi në Facebook ka informuar se aksionet e bastisjeve nga ZPS po vazhdojnë.

Objekti i kryerjes së bastisjeve, sipas tij, sot ishte shtëpia e Behar Berishës, bashkëluftëtar i Salih Mustafës i njohur me nofkën Komandant ‘Cali’.

“Sapo u informova se Specialja ka filluar sërish bastisje në shtëpinë e bashkëluftëtarit të Calit, Behar Berisha”, tha Klinaku.

Në lidhje me këto bastisje, Klinaku ditë më parë ka thënë se secili që është cak i këtyre bastisjeve nuk duhet të lejojë të iu preket diçka pa prezencën e tyre, pasi “ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale”.

Kjo siç ka theksuar ai ,duke u bazuar në përvojat e tij të mëparshme nga ZPS-ja kur kanë bastisur zyrat e OVL UÇK-së më 25 shtator të vitit 2020.

Më 16 dhjetor 2022, Salih Mustafa ishte shpallur fajtor për krime lufte, duke u dënuar me 26 vite burgim derisa lënda ka shkuar në Apel, ku pritet të shpallet aktgjykimi më 14 dhjetor të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat