Prokuroria e konfirmon – tregon për çka dyshohet i arrestuari i katërt për vrasjen e Liridonës
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se është arrestuar edhe i dyshuari i katër i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt, shkruan Insajderi.
Në një prononcim për Insajderin, zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj tha se i arrestuari dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse”.
“Konfirmojmë se me urdhër të prokurorit të rastit është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së rëndë, për shkak të veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndermjetesimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse“, sipas KPRK-së.”- tha Ulaj.
Tutje, Ulaj tha se pritet edhe të paraqitet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarit.
“Brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit“, tha ajo.
Kujtojmë se, Liridona Ademaj u vra të mërkurën e 29 nëntorit në Sinidoll të Prishtinës, me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli. 30 mijë euro ishte shuma që Naim Murseli kishte premtuar për vrasjen e saj.
Granit Plava, i cili është arrestuar si ekzekutuesi i krimit ka deklaruar se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do të merr edhe 15 mijë euro të tjera.
Për këtë krim është arrestuar edhe nipi i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla. Ai është edhe anëtar i FSK-së.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar nga një muaj paraburgim Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt.