Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një përgjigje ka thënë se Gjykata Kushtetuese vendos nëse draft-statuti i Asociacionit ka kompetenca ekzekutive apo jo.
Sipas tij, Qeveria nuk ka garantuar që në përmbajtjen e draft-statutit të asociacionit nuk ka shkelje kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese e vendos nëse draft-statuti i asociacionit parasheh kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe. Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese. Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë me tregua ka apo nuk ka.
Në qoftë se ka ata duhet të thonë kjo duhet të ndryshohet. Është mirë që opozita ka vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për draftin, për këtë është edhe roli i opozitës. Nuk ka zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim nga pala serbe” ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.
Kujtojmë që drafti për Asociacionin u është dorëzuar palëve në Prishtinë dhe Beograd në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
BE-ja e konsideroi këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.
Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.
Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake.
Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur fare të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i qasen më me përgjegjësi obligimeve nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.