Komuna e Malishevës, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka reaguar për arrestimin e Haxhi Shalës – Komandant “Topit”.
Në reagim thuhet se me shqetësim të madh kanë marrë informatën për arrestimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëvendësit, Haxhi Shala, nga Gjykata Speciale.
“Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare. Ne qëndrojmë fort në mbështetje të fuqishme me besim të palëkundur në pastërti dhe atdhetarizmin e ish luftëtarit Haxhi Shala”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se shpresojnë në lirimin sa më parë të tij dhe të krerëve të luftës së UÇK-së, luftë e cila i ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi të bindur se Kosova do ta kalojë edhe këtë sfidë dhe UÇK-ja e pjesëtaret e saj do të dalin faqebardhë dhe fitimtarë”, përfundon reagimi i Komunës së Malishevës.