Nënkryetarja e LDK’së, Hykmete Bajrami, i ka quajtur “lëmoshë” shtesat njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët e pensionistët që Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme.
Sipas Bajramit, këto mjete nuk kanë qenë të planifikuara për këto kategori, por se kanë dështuar të realizojnë projektet dhe se kanë tepruar miliona.
“S’ka çerdhe të reja, s’ka rritje të pagave në arsim, s’ka asnjë refomë që tri vite, s’ka sigurime shëndetësore, s’ka asnjë ndryshim të politikave fiskale, derisa në kurriz të rritjes së çmimeve qytetarët paguajnë dyfish më shumë tatime, çohen e ndajnë lëmoshë nga 100 euro, sepse kjo është puna me e lehtë, sepse kjo është gjëja e vetme që dinë të bëjnë”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar disa herë indeksimin e pagave dhe pensioneve bazuar në normën e inflacionit, që thotë se “do të ishte një rritje prej 17% krahasuar me 2021 dhe kjo do të ishte me e madhe se 100 Euro të njëhershme që japë Qeveria”.
“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të ndërtojnë 160 çerdhet e premtuara. Ka dështuar të bëj politika fiskale për tu përballë me inflacionin. Ka dështuar të bëj sigurimet shëndetësore dhe vargu i dështimeve nuk përfundon me kaq. Në vend të realizimit të premtimeve dalin dhe japin nga 100 euro në fundvit për fëmijët e pensionistët. Nuk i ndajnë këto mjete se i kanë planifikuar për këto kategori, por sepse kanë dështuar të realizojnë projektet, nuk po i realizojnë premtimet dhe dalin e ndajnë milionat. Inflacioni në vitin 2022 ka qenë 11.6 për qind, këtë vit janar-nëntor është 5.3%”, ka shkruar Bajrami.