Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për vitin 2022 kur inflacioni, sipas tij, ishte në kulm, Hoti ka theksuar se propozimet e tij për indeksimin e pensioneve dhe asistencës sociale, si dhe uljen e tarifës së TVSH-së nga 18 për qind në 8 për qind, janë harruar nga Qeveria.
Hoti ka theksuar se këto masa do të kishin ndihmuar në mbrojtjen e familjeve nga rënia e fuqisë blerëse dhe thellimi i varfërisë.
Megjithatë, sipas tij, Qeveria nuk i ka marrë parasysh këto propozime, vetëm sepse ato erdhën nga opozita.
“Me kohë u kemi thënë, qysh në vitin 2022 kur inflacioni ishte në kulm, se: (1) duhet të indeksohen pensionet dhe asistenca sociale për t’i mbrojtur familjet nga rënia e fuqisë blerëse dhe thellimi i varfërisë; dhe (2) duhet të ulet TVSH-ja nga 18% në 8% për plot mallra shtesë që janë elementare për konsumin e familjes. Nuk i morën parasysh këto propozime, vetëm sepse erdhën nga opozita”, ka shkruar ai në Facebook.
Ish-kryeministri ka shprehur shqetësimin e tij për rezultatin e kësaj mospërfilljeje, duke përmendur se sot 10 për qind e familjeve janë dukshëm më të varfra krahasuar me vitin 2021.
Ai gjithashtu ka theksuar se rënia e fuqisë blerëse ka çuar në një situatë ku familjet tani shpenzojnë mbi 60 për qind të të ardhurave për ushqime, krahasuar me 38 për qind në vitin 2021.
“Si rezultat, sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021. Po ashtu, për shkak të rënies së fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve, sot familjet i shpenzojnë mbi 60% të të ardhurave në ushqime, krahasuar me 38% në vitin 2021. Tani shpenzojnë mbi 50 milionë euro ndihma të njëhershme, që nuk zgjidhin asnjë problem afatgjatë”, ka shkruar tutje Hoti.
Hoti ka kritikuar vendimin e Qeverisë për të ndihmuar me nga 100 euro pensionistët dhe fëmijët, duke e vlerësuar të vonshëm dhe jo të duhur për zgjidhjen e problematikave afatgjata.
Sipas tij, një zgjidhje e qëndrueshme do të ishte indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale me normën e inflacionit.