Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se deri më tani, mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS.
Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland, të cilës i uroi mirëseardhje në Kosovë.
Së bashku në këtë takim diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet vendeve, bashkëpunimin në shumë fusha, dhe tema e çështje që, siç u tha, i presin deri në përfundim të vitit dhe vitin që po vjen.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Hovenier dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit.