Avokati Skënder Musa deklaron se Policia e Kosovës e ka teknologjinë që mund t’i rikthejë edhe SMS-të që shlyhen nga telefonat e personave të arrestuar.
Duke folur për vrasjen e Liridona Ademajt, avokati Musa tha se pas arrestimit të të dyshuarit Naim Murseli, ndër hapat e parë që bëhet është konfiskimi i telefonit të të dyshuarit, që përmes SMS-ve të shkëmbyer mund të zbulohen persona tjerë nëse kanë bashkëpunuar me të.
“Në momentin e arrestimit të akuzuarit për vepër penale është rregull që të bëhet konfiskimi i telefonit dhe ai dërgohet në ekzaminim në forenzikë dhe nxirren të gjitha bisedat dhe mesazhet pavarësisht se janë fshirë ata apo nuk janë fshirë. Ka raste të caktuara kur mesazhet e fshira nuk mund të kthehen, mirëpo teknologjinë që ka Policia e Kosovës, rikuperon shumicën e mesazheve”, tha Musa në Euronews.al.
Ai ritheksoi se policia mund të rikthejë pothuajse të gjithë SMS-të që shlyhen nga telefonat.