Morina për kërkesat e Policisë: Disa mund të plotësohen, disa janë zvarritë nga qeveritë e mëparshme

Aktuale

Morina për kërkesat e Policisë: Disa mund të plotësohen, disa janë zvarritë nga qeveritë e mëparshme

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 19:57
Refki Morina

Refki Morina nënkolonel në pension i Policisë së Kosovës  duke komentuar kerkesat e pjesëtarëve të Policisë deklaroi se disa nga kushtet tashmë të kërkuara mund të plotësohen, e disa prej tyre sipas tij, janë zvarritur nga qeveritë e mëparshme.

Morina theksoi disa kërkesa të Sindikatë ssë Policisë të cilat sipas tij, janë më me prioritet dhe të cilat do të duheshin të trajtoheshin në afat sa më të shpejtë nga Qeveria e Kosovës.

“Unë mendoj se disa nga kushtet mund të plotësohen mirëpo ka disa nga kushte të cilat janë zvarritë nga qeveritë e mëparshme, dhe tash kanë ardhë deri këtu. Mendoj se duhet të shiqohet te paga e policëve, të mos dëmtohen me pagë për arsye se kemi menaxhmentin, për shembull 100 deri në 200 euro është dëmtu me pagë menaxhmenti i lartë, e menaxhmenti e udhëheqë Policinë e Kosovës. Te kadetët kemi zbritje te gjeneratat e reja të cilët çysh në fillim ne po i demotivojmë, ata dhe kështu që të ketë kujdes pak më shumë”, tha ish-nënkoloneli.

Derisa përmendi edhe Ligjin për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë, e që sipas tij, do të duhej të merrej më seriozisht sepse siç tha ai, tashmë një numër i madh i pjesëtarëve policorë janë në moshë të shtyer.

“ Për shembull ligji i pensionit të parakohshëm, kjo mundet me shku gradualisht shkallë – shkallë për shembull prej 55 deri në 60 vjet shkalla e parë për një afat deri të plotësohen, pastaj prej 62 deri të plotësohen ato.. dhe gradualisht tu shku në pension tu u plotësu me gjenerata të reja në mënyrë graduale sepse kemi një numër të madh të pjestëtarëve të Policisë së Kosovës cilët e kanë një moshë të shtyer dhe në polici duhen gjenerata të reja”, shtoi Morina.

Ndryshe sot kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se diskutimet kanë qenë konstruktive dhe shpresëdhënëse.

Sipas tij, me ministrin janë pajtuar që të gjitha kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog.

Zeqiri tha se në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, janë dakorduar që kërkesat do të analizohen në detaje nga MPB-ja dhe në takimin e ardhshme të vendosen se cilat do të kenë prioritet.

Zeqiri ka thënë se edhe Sindikata e kupton se që të gjitha këto kërkesa nuk mund të realizohen menjëherë.

Ai tha se takimi i ardhshëm pritet të ndodhë në janar të viti të ardhshëm.

Kujtojmë që NJSI-ja, si njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, po kërkon ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë. Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat