Dekani i Fakultetit Ekonomik (AAB), Medaim Hashani ka deklaruar se Ligji për Fondin Sovran më së paku i nevojitet Kosovës.
Sipas Hashanit, ndërmarrjet publike në vend kanë dështuar në aspektin e menaxhimit, e të njëjtat sipas tij, po mundohen që me Ligjin për Fondin Sovran t’i mbulojnë dështimet.
“Mendoj që për me u bë ky ligj edhe pse unë jam pro privatizimit të të gjitha ndërmarrjeve publike, do me thënë nuk e përkrahi centralizimin e menaxhimit të ndërmarrjeve publike siç po mendohet me u bë me Ligjin e Fondit Sovran. Këto ndërmarrje publike kanë dështu në aspektin e menaxhimit, qytetarët e Kosovës kanë votu për një qeveri më ndryshe e kanë dhënë atë përqindjen që e ka marrë kjo Qeveri dhe për shkak të dështimeve të cilat kanë ndodhur, është duke u bë një ligj i ri që me i mbulu këto dështime të menaxhimit të këtyre ndërmarrjeve publike. Nëse ne i analizojmë të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë gjenerojnë me humbje dhe dështimi në menaxhim ka ardhë si rezultat i politizimit të bordeve që janë emëru në këto ndërmarrje publike”, deklaroi Hashani.
Tutje dekani i Fakultetit Ekonomik potencoi se ky ligj është i rrezikshëm për vendin tonë, për arsye se siç tha ai, kemi një ligj që është mbi ligje.
“Nuk ka asnjë reformë me këtë ligj, do me thënë nëse e analizojmë zoti Kurti e ka potencu edhe gjatë fushatës që do të mbyllet Agjensioni Kosovar i Privatizimit dhe me mbylljen e agjensionit do të krijohet Fondi Sovran. Unë mendoj se është një ligj i rrezikshëm për Kosovën, për arsye se kemi një ligj që është mbi ligje do të thotë janë shumë ligje të cilat nuk do të respektohen nga ana e këtij ligji të fondit, për shembull Ligji i Prokurimit për Shoqëri Tregtare, Ligji i Punës, Ligjet për Ndërmarrjet Publike të cilat nuk vlejnë për këtë ligj”, shtoi Hashani.