Hetimet për sulmin në Banjskë, Kurti: Unë jam për të ndihmuar prokurorinë, ata janë për të punuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se në bisedimet e Brukselit me ndërmjetësimin e BE-së vazhdimisht është thënë se për draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për media, shefi i ekzekutivit foli rreth trysnisë ndërkombëtare për themelimin e asociacionit dhe rreth deklarimeve të emisarit Miroslav Lajçak se draft-statuti i asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.
Kurti: Në bisedimet është thënë që për draft statut të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi
“Në bisedimet e Brukselit vazhdimisht është thënë që për një draft statut duhet të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimisht është sjellë në proces të bisedimeve në tryezën e dialogut. Unë kam qenë shumë konstruktiv, kreativ e i përkushtuar, bile e mbani mend se si më 2 maj kam dëgjuar me durim ish- deputeten e SNS-së Daniela Vuçiq, udhëheqëse e të ashtuquajturit ekip menaxhues duke elaboruar se si duhet të duket “Republika Serbe” në Kosovë. Gjysmë ore e kam dëgjuar në Bruksel në atë kohe. Ka pasur shumë trysni mbi qeverinë tonë dhe në javët e muajt në vijim që edhe ne ta propozojmë një draft…Ndërkohë që drafti i saj kishte zhvlerësuar në mënyrë të plotë politikisht dhe aspak legalisht siç do të duhej nga ndërmjetësit, prandaj ne kemi konsideruar se nuk është koha për këtë gjë... Nëse draft statuti i asociacionit prej ndërmjetësit thuhet që është një çështje e brendshme i Kosovës, ky është një regjistër tjetër i gjërave”, tha Kurti.
Për sa i përket hetimeve mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit, kryeministri Kurti tha se informacionet i janë dhënë edhe Prokurorisë së Shtetit dhe i takon kësaj të fundit të merret me të, pasi ka dëshmi prova dhe materiale të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj personave që morën pjesë në Banjska.
Kurti: Unë jam për të ndihmuar prokurorinë, ata për të punuar
“Informacion të Republikës së Kosovës, të shtetit lidhur me sulmin terrorist dhe kriminal në Banjskë, nuk ka që nuk i është dhënë Prokurorisë së Shtetit. Sot janë bërë tre muaj prej se është kumtuar urdhrin për sulmin terrorist e cila e vrau rreshterin policor, heroin Afrim Bunjakun, një ditë më pas, pra më 24 shtator. Sot, janë bërë tre muaj prej kur është kumtuar urdhri dhe ky informacion ndodhet tashmë edhe te prokuroria. Ka parë numër faktesh, dëshmi materiale, të cilët janë të mjaftueshme që të ngrihen aktakuza për sulmin në Banjskë të Zveçanit… Ky hendek nuk mund të përmbushet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i takon Prokurorisë së Shtetit, prandaj pyetja duhet të jetë për ta. Unë jam këtu për të ndihmuar, mirëpo ata janë aty për të punuar”, tha Kurti.
Përveç këtyre, Kurti tregoi edhe për punën që po bëhet në sigurimin e kufijve me qëllim të parandalimit të sulmeve të mundshme në të ardhmen, duke thënë se patrullimi i përbashkët me KFOR-in i ka zmbrapsur planet serbe për sulme.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për targat në veri të vendit, për çka tha se në Kosovë nuk ka më qarkullim të automjeteve me targa ilegale. Ai ka folur edhe për sekuestrimin e alarmeve ilegale në veri dhe çfarëdo pajisje tjetër që ka për synim aktivitete ilegale.
Sveçla: Largimi i alarmeve ilegale do të bëhet në gjithë territorin e Kosovës
“Tashmë është fakt që targa ilegale në RK nuk ka në qarkullim…Ju keni parë incizimet e largimit të alarmeve ilegale. I njëjti do të ndodhë kudo brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku hasim në pajisje që shërbejnë për mobilizim apo aktivizim lidhur me aktivitete ilegale”, tha Sveçla.