Sulmi në Banjskë: Si u fut në Kosovë armatimi i rëndë, flet ish-hetuesi i Krimeve të Rënda

Aktuale

Sulmi në Banjskë: Si u fut në Kosovë armatimi i rëndë, flet ish-hetuesi i Krimeve të Rënda

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 22:11
Mehdi Kozhani

Mehdi Kozhani, ish-hetues në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, rrëfehet ekskluzivisht për punën e tij si hetues në një intervistë në Paradoks.

Kozhani ishte i përfshirë edhe në hetimin e sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë. Në intervistë ai zbulon edhe se si hyri tërë ai armatim në territorin e Kosovës.

“Kam qenë i angazhuar, kam qenë në vend të ngjarjes. Kemi fillu hetimin si drejtori, në fakt kjo i ka taku me kompetencë drejtorisë së terrorizmit, mirëpo ne i kemi asistu si hetimeve të krime të rëndna. I kemi ndihmu në maksimum. Jemi marrë me të gjitha detajet, konfiskimet, vendi i ngjarjet komplet është menaxhu nga ne dhe ka qenë edhe prokurori i Prokurorisë Speciale në vend të ngjarjes”.

“I kemi sistemu dhe i kemi përfundu si çdoherë në vendngjarje mirëpo me një rrezik të lartë, sepse situata çdoherë ka qenë e ndërlikuar, e tensionuar. Në njërën anë kanë qenë Njësia Speciale që e kanë neutralizu situatën dhe grupin terrorist. Grupi terrotist ka qenë shumë i strukturuar dhe i avancuar me armatim modern e pajisje modern. Rast shumë i ndijshëm, duhet pasur kujdes me hetimet, çdo informacion që flitet në publik mund të ketë ndikim në hetime”.

Kozhani thekson se terroristët serb e futën armatimin në Kosovë “me shpejtësi” e jo me komoditet.

“Çështja e armatimit dhe hyrja e atij grupi terrorist, e dijmë se Serbia është në atë pjesë, strukturat ilegale që veprojnë e kanë vepruar, e shfrytëzojnë territorin e tyre në Serbi dhe anasjelltas vijnë këtu, e kanë një qasje pak më të lehtë edhe pse kufiri menaxhohet nga policia dhe KFOR-i mirëpo është pak e habitshme se si ka depërtu aq shpejt ai grupi kriminal me gjithë atë armatim. Kjo mbetet me u zbërthy gjatë hetimit se si ka ndodh”.

“Unë mendoj që ka qenë rrugëtim paksa i shpejt që mos mu zbulu për shkak që grupi ka dasht të vijë këtu dhe ti sistemojë armatimin e të na shkaktojë probleme të jashtëzakonshme në territorin tonë. Qasjen se si e kanë arrit ata edhe si nuk ka mundur inteligjenca e shtetit tonë AKI, inteligjencat e policisë, KFOR-it, e mekanizmat në vend, si kanë arrit aq shpejt me kap këtë detaj është pak i habitshëm. Mirëpo mendoj që kanë ardh me shpejtësi. Nuk kanë ardh komod”.

I pyetur nga Kajtazi nëse ka dyshime që AKI ka dështuar në parandalimin e këtij sulmi, Kozhani thekson se ata është dashur të jenë më vigjilent.

“Nuk them që kanë dështu, por është dashur të jenë më vigjilent. Shteti do siguri, ata që janë të thirrur për siguri duhet me qenë shumë vigjilent, shumë në nivel detyre. Edhe nuk është kritikë e jemja për një agjenci mirëpo shteti do maturi, përgjegjësi, do me kanë në të gjitha drejtimet aty ku e lyp vendi edhe shteti”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat