Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, deklaroi se në bazë të vlerësimit që e kanë bërë lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës, gjetjet kryesore konsistojnë në mangësitë e zakonshme që Kuvendi ka shfaqur.
“Fillojmë prej planifikimit joadekuat të agjendës legjislative, problemit të vazhdueshëm me mungesa të deputetëve dhe sjelljet e tyre në seancat e Kuvendit. Po ashtu këtë vit ka qenë më i theksuar problemi me mënyrën e interpretimit të rregullores dhe me një lloj normalizimi të praktikave shkelëse të rregullores”, deklaroi Thaçi.
Tutje ai theksoi se 25% e agjendës legjislative e këtij viti është përmbushur.
“Si numër është mjaft i ulët, veçanërisht kur vlerësohet krahasimisht me atë të vitit paraprak kur kjo shumicë parlamentare kishte votuar diku mbi 111 projektligje me afërsi mbi 100 seanca të mbajtura”, u shpreh për emisionin Info Magazine në Klan Kosova Arbër Thaçi i KDI-së.