Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur gjatë vitit 2023 në veri të Kosovës.
Osmani duke folur për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në katër komunat në veri të Kosovës, ka thënë se insistimi i saj ishte që të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
“Dihet që nuk ka pasur kërkesë te unë nga bashkësia ndërkombëtare që të shtyhet çështja e kryetarëve. Dhe si Presidente nuk kam qenë e involvuar në atë vendim. Në fakt, edhe pasi ka ndodhur me 26 maj, insistimi im ka qenë që ta gjejmë një rrugë para, i cili merr për bazë sigurinë afatgjatë, dhe siguria afatgjate arrihet vetëm duke bashkëpunuar për së afërmi me partnerët tonë. Instistimi im ka qenë për gjuhë të përbashkët.”, ka thënë e para e vendit në RTV 21.
Ajo tutje ka përmendur edhe sanksione e vendosura nga Bashkimi Evropian, duke thënë se ishin fat i keq për Kosovën.
“Për fat të keq Kosovës iu vendosën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat sado që janë vendosur si kundërpërgjigje ndaj moskoordinimit me 26 maj, prapëseprapë vlerësoj kanë qenë disproporcionale.” – ka thënë ajo.
Osmani tutje ka thënë se mbi gjitha, Kosova duhet ta mbajë sigurinë.
“Ka qenë veprimi në përputhje me Kushtetutën e ligjet, por çështjet e sigurisë duhet të koordinohen me aleatët e sigurisë sepse ajo është mbi të gjitha, Kosovën ta mbajmë me sigurinë. Si presidente jam angazhuar që nga ajo ditë që parandaloj shumë masa më të rrepta; partnerët tonë i dinë shumë mirë çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë e çdo natë, nga 24 orë kam punuar që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve.”, ka thënë Osmani.
“Këtu e keni fjalën për Kurtin, apo jo?” – e pyeti gazetari.
Megjithatë Osmani evitoi përgjigjen konkretisht duke thënë “nuk flas në emra individësh”.
“Po flas për përpjekje të mia. Kam punuar me ambasadorë këtu, me Departamentin amerikan të Shtetit…në mënyrë që të parandalohen masa shumë më të ashpra në raport me Kosovën, dhe këtë e kemi arritur.”, ka thënë Osmani.