Vit të vështirë vitin 2023 për qytetarët e Kosovës e sheh edhe analisti tjetër Artan Muhaxhiri.
Muhaxhiri, deklaron se kryeministri Albin Kurti shumicën e energjisë së tij e ka shpenzuar në dialog.
“Viti 2023 ka qenë shumë i vështirë për qytetarët e Kosovës sepse nuk ka pas ndonjë zhvillim substancial ekonomik dhe politik dhe kanë qenë në shpërputhje me tentimet të cilat janë bërë nga qeveria Kurti për përmirësim të shpejtë dhe fundamental të mirëqenies së qytetarëve. Çështja e dialogut e ka dominuar gjithë vitin dhe kryeministri Kurti ka harxhuar shumicën e energjisë së tij politike duke u marrë më tema direkte apo indirekte të procesit të dialogut”, është shprehur Muhaxhiri.
Ndërsa, për përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese, Muhaxhiri thotë se qasja e Qeverisë për këtë çështje më shumë ka qenë partiake.
“Qeveria e Kosovës ka pasur shumë probleme në aspektin e ligjeve sepse qasja e saj ndaj ligjeve ka qenë partiake e jo shtetërore, prandaj edhe ka has në bllokada të panumërta nga Kushtetuesja për faktin që ligjet që janë propozuar nga Qeveria dhe janë miratuar në Kuvend nuk kanë qenë në harmoni me Kushtetutën dhe kjo është bërë një traditë negative dhe e dëmshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, stagnim ka pasur edhe në politikën e jashtme.
“Politika e jashtme e Kosovës ka stagnuar në plotëni sepse nuk ka pas as vizion, as plane e as ide që të avancohet pozita ndërkombëtare e Kosovës”, ka pohuar ndër të tjera Muhaxhiri.
Ndryshe, qeveria e Kosovës në këtë vit ka mbajtur 62 mbledhje me 564 vendime të marra e 78 projektligje të kaluara.