Eksperti i sigurisë jep detaje nga sulmi ndaj policisë së Kosovës: Serbi nuk iu përgjigj urdhrit për ndalim

Aktuale

Eksperti i sigurisë jep detaje nga sulmi ndaj policisë së Kosovës: Serbi nuk iu përgjigj urdhrit për ndalim

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, zbuloi gjatë një interviste për Euronews Albania, detaje nga sulmi me armë në drejtim të policisë së Kosovës në Zubin Patok.

Shala tha se policia kufitare tentoi të ndalonte një makinë ku dyshoheshin se ishin mallra të kontrabanduar, ndërkohë që personi në fjalë nuk iu bind urdhërave të policisë.

Personi tentoi t’i godiste me makinë zyrtarët e policisë, të cilët iu kundërpërgjigjën me armë në kushtet e vetëmbrojtjes.

Pas shkëmbimit të zjarrit, personi u arrestua dhe situata aktualisht vijon të jetë në normalitet.

“Situata ka ndodhur gjatë një kontrolli rutinor që kanë bërë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit të Kosovës, për të kontrolluar një person i cili dyshohej se në makinën e tij kishte gjëra kriminale për t’i kontrabanduar.

Policia e Kosovës për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të gjetur gjërat e kontrabanduara i ka bërë shenjë makinës të ndalonte.

Personi në fjalë i njohur për organet sigurisë së Kosovës, nuk iu bind urdhërave zyrtarë dhe ka tentuar t’i godasë me makinë efektivët.

Në vetëmbrojtje zyrtarët e policisë kanë nxjerrë armën dhe kanë qëlluar në drejtim të makinës për të ndaluar dhe arrestuar personin në fjalë dhe nxjerrjen e tij përpara organeve të drejtësisë. Situata është në kontroll dhe po mbarëvahet me një normalitet të shtuar”, tha Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat