Prof.Dr. Enver Bytyqi në një postim të tij në facebook ka komentuar deklaratën përmbyllëse të kyreministrit shqiptar, Edi Rama. Në këtë rast, professor Bytyqi ka komentuar deklarimin e Ramës lidhur me raportet e Shqipërisë me Serbinë.
“Marrëdhënia me Presidentin e Serbisë, një marrëdhënie që nuk ka asgjë tjetër perveç interesit të Shqipërisë dhe interesit të rajonit". Kjo ishte deklarata e Edi Ramës sot në konferencën për shtyp në mbyllje të vitit 2023”, shkruan Bytyqi në facebook.
Ai shkruan se kryeministri Rama e thotë të vërtetën në këtë rast, pasi ai e sheh Shqipërinë të ndarë edhe nga Kosova dhe shqiptarët tjerë në Ballkan.
“Ai thotë të vërtetën. Sepse Shqipërinë Edi Rama e sheh të ndarë nga pjesët e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan. Të ndarë nga interesat e Kosovës gjithashtu! Sepse Shqipërinë ai e identifikon me veten e tij, Si në mesjetë. D.m.th nëse lidhja me Serbinë është në interes të Edi Ramës, atëherë automatikisht, sipas tij, është edhe në interes të Shqipërisë”, thekson ai.
Tutje, prof.dr. Bytyqi shkruan se kur kryeministri Rama thotë se këto lidhje janë në interes të rajonit dhe nuk përmend Kosovën, kjo do të thotë se rajoni për Ramën është vetë Serbia.
“Për pasojë lidhjet e tij janë pra në interes të Shqipërisë së Edi Ramës dhe të Serbisë së Aleksandër Vuçiq. Sepse ato lidhje nuk ishin asnjë moment në interes të Kosovës. Apo harroi Rama kur më 2018-ën shkoi në shtëpinë e Ramush Haradinajt dhe i mblodhi komplotistët kundër Kosovës për t'u thënë se "Zgjidhja më e mirë është ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve"! Shiheni videon e një interviste të Ramush Haradinajt për këtë dhe do të bindeni”, thekson ai në Facebook.