Pa viza, Kurti: U fitua një e drejtë e rëndësishme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla kanë mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë.
Me këtë rast Kurti tha se nga sot po hiqet një padrejtësi e madhe, e po fitohet një e drejtë e rëndësishme. Teksa shtoi po ashtu se është forcuar pasaporta e Kosovës.
Ai theksoi se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë.
Kurti: Po hiqet një padrejtësi e madhe, e po fitohet një e drejtë e rëndësishme
"Kjo ditë është një ditë e rëndësishme, po hiqet një padrejtësi e madhe, e po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen. E bashkë me të po forcohet edhe pasaporta e Republikës së Kosovës, më të cilën qytetaret tanë do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit krahas përfitimeve të përditshme është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme sot do të udhëtojnë për në Vjenë, 50-të qytetarë të cilët fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë informuese. Këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi, të respektojmë kërkesat e kriteret, sepse kështu vlerësojmë dhe lartësojmë shtetit tonë. Kudo që të udhëtojmë të kujtojmë e kurrë mos të harrojmë që shtëpia jonë është Kosova jonë e dashur", tha Kurti.
Po ashtu, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla shtoi se liberalizmin e vizave do të shfrytëzojnë të gjitha bizneset për investime si dhe studentët dhe familjarët për vizita të ndryshme.
Gërvalla: Nuk ka më burokraci të panevojshme
"Sot vërtet është një ditë e mirë, e gëzuar sepse secili prej nesh e din se sa kohë kemi humbur në pritje të gjata para ambasadave. Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa, fletëgarancione dhe burokraci të tjera. E dini mirë se sa para janë shpenzuar pa nevojë për viza dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rruge, në shi, në borë dhe në diell. Ato kanë marr fund me ditën e sotme. Pra nuk ka më burokraci të panevojshme, por do të ketë mundësi në shtete e zonës Schengen të vizitoni familjarët tuaj, jo vetëm vizita private, por edhe bizneset do të kenë mundësi të zgjerojnë fushën e tyre të aktivitetit , të sjellin investime më të mira dhe më të qëndrueshme, studentët dhe të rinjtë do të kenë mundësi, jo vetëm te eksplorojnë mundësi të reja për studime dhe për kualifikim por të shijojnë artin, kulturën, sportin dhe të tjerat", tha Gërvalla Schvar.
Mëngjesin e sotëm të vitit 2024, qeveria e Kosovës ka organizuar udhëtimin e pare pa viza për 50-të fituesit qe fituan udhëtimin për në Vjenë të Austrisë. Kuiz ky i cili u organizua nga qeveria e Kosovës për Bashkimin Evropian në kuadër të një fushate informuese të autoriteteve për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.