Përparim Aliu e Llazar Jolliq janë nga komuniteti ashkali dhe serb. Ata punojnë në Policinë e Kosovës në rajonin e Ferizajt. Të dy rrëfejnë se përgjatë kohës sa janë të punësuar kanë marrëdhënie të mira ndëretnike. Teksa, zyrtari policor serb u bën apel pjesëtarëve të komunitetit të tij që të aplikojnë dhe punësohen në Policinë e Kosovës.
Janë nga dy komunitete të ndryshme, por punojnë në të njëjtin vend.
Këta janë zyrtarët e Policisë së Kosovës që shërbejnë në rajonin e Ferizajt.
Përparim Aliu nga komuniteti ashkali, shërben në këtë institucion tash e 24 vite, ku thotë se përgjatë kësaj periudhe asnjëherë nuk është përballur me ndonjë sfidë për shkak të etnicitetit të tij.
Aliu i cili punon në Qendrën e thirrjeve në Policinë e Kosovës, tregon se është privilegj i tij, bartja e uniformës së shtetit.
Edhe Llazar Jolliq që është nga komuniteti serb shërben në Polici që nga viti 2014, ku thotë se është i kënaqur me punën për shkak se marrëdhëniet ndër etnike janë shumë të mira.
Ai thotë se është i gatshëm që të kontribuojë në komunat veriore të Kosovës, për shkak të dorëheqjes së serbëve atje nga Policia.
Teksa, ka një apel për të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në vendin tonë.
Policia e Kosovës vazhdimisht ka shpallur konkurse për pranimin e zyrtarëve policorë në këtë organizatë, ku vendet e tyre janë të rezervuara edhe me Kushtetutën e Kosovës.