Xhavit Haliti: Opozita si ka numrat për ta rrëzuar Kurtin

Aktuale

Xhavit Haliti: Opozita si ka numrat për ta rrëzuar Kurtin

Më: 3 janar 2024 Në ora: 16:59
Xhavit Haliti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se është i bindur se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë.

Kjo, pasi që sipas tij, në këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Por, ndryshe nga shefi i partisë, mendon deputeti Xhavit Haliti.

Ai është shprehur skeptik që në vitin 2024 do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Në këto rrethana ku në veri nuk ka pushtet lokal dhe në Kosovë ka përplasje politike, por nuk ka përplasje të cilat mund ta rrezikojnë pushtetin e kryeministri Kurti unë jam skeptik që do të ketë zgjedhje për faktin se po besoj që edhe Kurti edhe këto deklarimet e njërit ose tjetrit janë më shumë testim për opinionin, testim për opozitën”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas Halitit, zërat për zgjedhje janë shtuar menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve të kaluara.

Ndërsa, pavarësisht kësaj, thotë se opozita nuk ka vota për të rrëzuar qeverinë Kurti.

“Tani këto shashkat për zgjedhje kanë filluar menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme, por do të ketë apo nuk do të ketë varet shumë nga qëndrimet që i ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për shkak se ai e ka shumicën parlamentare dhe ai mund ta rrëzojë qeverinë e vet me votat që i ka në parlament. Opozita nuk ka vota për ta rrëzuar qeverinë e z.Kurti”, ka shtuar Haliti.

Kurse, e gjithë kjo siç thotë deputeti Haliti, varet nga situatat që do të krijohen, pasi situata si në rajon e po ashtu edhe në Kosovë është jostabile.

Haliti ka deklaruar se është mirë që në Kosovë të ketë zgjedhje të reja.

Por, se thotë se këto zgjedhje nuk duhet të mbahen vetëm për të krijuar numra, por për të krijuar stabilitet politik.

“Unë jam për idenë që është mirë që të ketë zgjedhje në Kosovë të reja, dhe të ketë zgjedhje jo për të bërë numra sa do të duhej të kishte zgjedhje për të krijuar një stabilitet politik dhe për të qenë do ta quaja fuqi politike e cila në bashkëveprim do të punojë për interesat e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Haliti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat