Zotimi i Romano: Paqja në Kosovë, prioritet i NATO-s

Aktuale

Zotimi i Romano: Paqja në Kosovë, prioritet i NATO-s

Më: 3 janar 2024 Në ora: 20:48
Foto ilustrim

Siguria dhe paqja në Kosovë mbetet prioritet i Aleancës Veri-Atlantike. Këtë siguri e dha shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s, në Serbi, gjenerali italian, Giampiero Romano.

Në një intervistë për portalin nga Beogradi, Demostat, ai tha se misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, është në kontakt me institucionet vendore, pastaj misionet ndërkombëtare, dhe me palën serbe, po ashtu.

“Një Kosovë e qëndrueshme është me rëndësi thelbësore për stabilitetin në rajon dhe për sigurinë tonë. Për më shumë se dy dekada, paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë prioritet për NATO-n. Mandati i Kombeve të Bashkuara për misionin tonë paqeruajtës, KFOR-in, që bazohet në Rezolutën 1244, mbetet i pandryshuar. Ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për një mjedis të sigurt në Kosovë”, tha Romano.

Më 29 maj 2023 protestues të dhunshëm serbë, sulmuan forcat paqëruajtëse në Zveçan, ku u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it. Kurse më 24 shtator në Banjskë, një grup i armatosur paramilitar, bëri akt agresoni. Ata sulmuan policinë ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku e plagos polici Alban Rashiti.

“Në shtator pati ngjarje të reja të dhunshme. Kjo është e papranueshme. Faktet patjetër që duhet të vërtetohen, ndërsa autorët të vihen para drejtësisë. Në përgjigje të dhunës, NATO ka dislokuar në Kosovë rreth 1,000 paqeruajtës shtesë e njësi autoblindash. Kjo është rritja më të madhe e kontingjentit tonë në Kosovë në dhjetë vitet e fundit, që tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, shtoi ai.

I pyetur se si e sheh dialogun Kosovë-Serbi, pas ngjarjeve të vitit që shkoi, Romano, sqaroi  se Aleanca Veri-Atlantike vazhdon të mbështesë me vendosmëri procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dialogun, ushtaraku, e quajti si “mënyrën e vetme për arritjen e zgjidhes së qëndrueshme politike dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat