Dy ditë para përfundimit të vitit 2023, ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Jeff Hovenier, ka thënë se në vitin 2024 kanë pritshmëri që dialogu Kosovë-Serbi të avancojë edhe më shumë.
Ai ka kërkuar sërish që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet dhe procesi i normalizimit Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje reciproke.
Por, ajo që po e stagnon këtë proces është pikërisht çështja e Asociacionit.
Pikërisht për këtë diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor, paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit.
Këtë plan kryeministri Kurti tha se është i gatshëm ta nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi në takimin me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të BE-së.
Lidhur me ecurinë e dialogut dhe çështjen e Asociacionit për Front Online ka folur deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Ajo thotë se që kur kryeministri Albin Kurti është duke qeverisur ka pasur zmbrapsje në procesin e dialogut.
“Vlerësoj që ka pasur zmbrapsje në procesin e dialogut sepse me z.Kurtin kemi dialog pa epilog, pa strategji, pa transparencë dhe pa kohë të caktuar të përfundimit”, është shprehur Musliu-Shoshi.
Sipas tij, Asociacioni do të jetë temë kryesore në këtë proces deri në themelimin e tij.
“Asociacioni derisa të themelohet do të jetë temë kryesore në dialog! Çështjet e diskutuara në dialog shpesh e kanë dërguar vendin në zgjedhje”, ka shtuar deputetja Musliu-Shoshi.