Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë edhe nesër dëshminë e tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës
Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe gjatë ditës së nesërme në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Gjatë pjesës së dytë të seancës së sotme, dëshmitari Gashi është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e përfaqësuar nga prokurorja Gaia Pergolo.
I pyetur se a ka njohur ndonjë person me emrin Salih Saramati, dëshmitari tha se ishte kushëriri i komandantit të tij.
“Kushëri i komandantit tim është Salih Saramati. Kurse komandanti im është Ruzhdi Saramati. Është vra nga forcat serbe në Gorozhup”, tha dëshmitari.
Ndërsa, për Mark Shalën, dëshmitari tha se nuk e ka parë kurrë në jetë.
Ndërsa, prokurorja Pegolo i tregoi dëshmitarit deklarata që Mark Shala i kishte dhënë kohë më parë në këtë çështje gjyqësore lidhur me Salih Saramatin
“Mark Shala ishte anëtar i UÇK-së, merrej me logjistikë gjatë luftës, dhe në këtë gjykim ka dëshmuar si dëshmitar i mbrojtjes. Ai ka deklaruar se ai vërtetë ishte një kushëri i Ruzhdi Saramatit siç e thatë edhe ju, komandant i brigadës 128 dhe është vra në gjatë betejës së Gorozhupit…Mark Shala ka dëshmuar se pas vdekjes së Salih Saramatit, kufomën e tij e dërguan në Kukës dhe u zhvillua një ceremoni mortore për atë dhe për ushtarët e tjerë në varrezat e Kukësit…Mark Shala konfirmoi se ishte një ngjarje e madhe. Ju po thoni që nuk keni dëgjuar kurrë për këto”, tha prokurorja Pergolo.
Ndërsa, dëshmitari tha se e dinë që Salih Saramati është vrarë dhe se i kanë transferuar diku, gjë kjo për të cilën sipas tij nuk ka njohuri.
“Thash që me u vra është vra, datën e saktë nuk e mbajë mend. Thash se i kanë transferu dika dhe nuk e di se ka. Nëse u vra një ushtar apo një komandant ne nuk kemi mundur me shku se dikush është dashur me qendru… unë për vete nuk kam shku”, tha dëshmitari Gashi.
I pyetur për një person me emrin Hydajet Gashi, dëshmitari tha se ka qenë ushtar nga qyteti i Prizrenit.
“Po, është ushtar i Prizrenit ose qytetit tim. Me mua nuk u kanë (në njësi)”, tha dëshmitari.
Ai pohoi se gjatë kohës së luftës është takuar me këtë person.
“Gjatë luftimeve jo, por nuk ka pas atë ditë luftime e jam taku në Gorozhup. Afër Goruzhupit, afër Shqipërisë me një fshat”, tha dëshmitari Gashi.
I pyetur për kohën e kaluar në Kukës, dëshmitari tha se aty e ka marrë vetëm uniformën pastaj e kanë dërguar në një vend në afërsi të Kukësit.
“Nuk jam kyç, veç kam marrë aty uniformen dhe me kanë qu në Kolsh apo Kalimash nuk me kujtohet ky vend. Atje kam nejtë përafërsisht 5 apo 6 ditë”, tha dëshmitari Gashi.
Safet Gashi tha se gjatë kësaj kohe i ka dhënë edhe të dhënat e tij personale. Sipas tij, të dhënat e tij personale i ka marrë Ruzhdi Saramati.
“Shtabit të përgjithshëm, Ruzhdi Saramatit”, tha dëshmitari Gashi duke theksuar se këto të dhëna i dha në një shtëpi të vogël njëkatëshe e cila iu kujtohet se ka qenë me ngjyrë të verdhë. Ai tha se kjo shtëpi ka qenë afërsisht 3 kilometra larg qytetit të Kukësit.
I pyetur se kush ishte në atë vend përveç Ruzhdi Saramatit, dëshmitari tha se për komandant nuk e ka njohur dikë tjetër.
“Për tjetër komandant nuk kam njoftë kërkan”, tha Gashi.
Ndërsa, në kohën kur ka luftuar në Goruzhup, dëshmitari tha se togu ku ai ishte pjesë udhëhiqej nga Valbon Çollaku për të cilin ai tha se nuk e di se nga i merrte urdhrat.
Kujtojmë se me fillimin e pjesës së dytë të seancës gjyqësore, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia mori dy urdhra me anë të së cilëve lejoi ZPS-në që të përdorë disa materiale gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Safet Gashi.
Ndërsa, para pushimit të drekës, ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin mbrojtja e Pjetër Shalës cili pjesën më ta madhe të pyetjeve i parashtroi në sesion privat për publikun