Entiteti serb në Bosnjë e Hercegovinë ka shënuar sot ditën që po e konsiderojnë si ditën e Republikës Serpska. Kjo është cilësuar nga Bashkimi Evropian si festë antikushtetuese, derisa udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik ka kërcënuar edhe një herë me shkëputje të etnitetit të tyre nga Bosnje e Hercegovina.
Për këto kërcënime të presidentit të Republikës Serpska, ka folur profesori i sigurisë Fatmir Çollaku.
Çollaku i ka parë deklaratat e Dodik si kërcënim serioz dhe të hapur.
“Deklarata e Dodik dhe zotimi i tij për shkëputje të Republikës Serpksa nga Bosnja është kërcënimi më serioz dhe më i hapur, në kuptimin e një veprimi të tillë destruktiv në rrënimin e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, themelet e të cilit nuk janë shumë të forta. Sot është një sprovë shume e madhe, shume e veçantë për bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-në, Brukselin, Londrën dhe gjithë të tjerët që kane investuar në dy dekada në Bosnjë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse situata e sigurisë në Kosovë mund të rrezikohej nga ngjarjet e fundit në Bosnjë, Çollaku e ka mohuar se mund të ndodhë diçka e tillë.
Ai ka theksuar se ka dallime mes shteteve në kuptimin formal juridik e në terren.
“Shumë herë janë bërë paralelizma në mes Kosovës dhe Bosnjës. Bosnja është më në rrezik pasi atje gjeneratori i krizës janë ekzistenca e tri etnive dhe shteti jo stabil përmes organizimit të udhëheqjes kolektive përmes parimit të rrotacionit që i bie se në çdo 6 ose 8 muaj secili përfaqësues i secilës etni të Bosnjës të ketë udhëheqjen e të merr drejtimin e kryesisë. Gjithmonë etnia serpska e ka në dorë mundësinë kushtetues për të bllokuar vendimmarrje. Nuk shoh lidhshmëri të thellë. Situata në Bosnjë dhe degjenerimin e situatës atje nuk e shoh shkaktarë të një pasoje të mundshme në Kosovë, sepse realiteti i Kosovës është krejt ndryshe ne kuptimin formal juridik dhe në terren”, ka shtuar ai.