Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, njoftoi se në fillim të këtij viti, nga data 6 deri më 8 janar, në tri qendra të mjekësisë familjare, kanë qenë rreth 500 pacientë brenda ditës të prekur me grip sezonal.
Po ashtu, Sadiku tha se pas periudhës së festave, është rritur dukshëm numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Temperaturat e ftohta e bëjnë më të mundshëm përhapjen e gripit. Mbas periudhës së festave, ku njerëzit kanë qëndruar shumë bashkë, kemi pasur rritje të numrit të rasteve me gripin. Pra, kemi pasur një numër të madh të pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Nga data 6 deri më 8 janar, vetëm në tri qendrat e mjekësisë familjare, kanë qenë diku rreth 500 pacientë brenda ditës, që është një fluks më i madh se zakonisht”, deklaroi Sadiku.
I pyetur se a kanë menduar që së paku këtë sezon të kenë numër më të shtuar të stafit, Sadiku tregoi se aktualisht është një numër i vogël i punëtorëve shëndetësorë. Me ç’rast bëri të ditur se ka raste kur një mjek i ka pasur 100 pacientë brenda 12 orëve.
Tutje, Sadiku tha se përkundër stafit të pakët shëndetësorë, e numrit të rritur të banorëve të kryeqytetit, përsëri kanë arritur ta menaxhojnë këtë situatë.
“Ne për fat të keq s’mund të punësojmë staf të ri. Krejt stafi që e punësojmë është numri i atyre që dalin në pension, Por, duhet ditur, që pas luftës e deri më sot, Prishtina e ka numrin e njëjtë të punëtorëve shëndetësorë. S’është rritur numri i punëtorëve shëndetësor, përkundër që kemi rritje shumë të madhe të banorëve të kryeqytetit. Por, përsëri kemi arritur që ta menaxhojmë këtë situatë”, potencoi drejtori i shëndetësisë.
Sadiku shprehu rastin t’u bëj apel qytetarëve të mos e vizitojnë me çdo kusht mjekun, pasi siç tha ai, gripi sezonal në shumicën e rasteve mund të trajtohet në kushte shtëpie.
“U bëj apel qytetarëve që të mos e vizitojnë me çdo kusht mjekun, për shkak se gripi sezonal është sëmundje virale, e cila s’ka nevojë të mjekohet me antibiotikë. Në shumicën e rasteve, trajtimi duhet të bëhet me marrjen e më shumë lëngjeve, barnave për temperaturë, e marrjen e vitaminave. Vetëm në rastet kur kemi komplikime dhe të moshuarit s’janë vaksinuar, pas ditës së 3 ose 4, vazhdojnë t’i kenë simptomat e gripit, atëherë mund të lajmërohen te mjeku”, përfundoi Sadiku.
Gripi sezonal ka prekur qindra persona në Kosovë. Vetëm në tetor, nga ky grip dyshohet se ishin mbi 2 mijë qytetar të prekur. Derisa interesimi për ta marrë vaksinën kundër gripi sezonal mbetet i lartë, mbi 10 mijë qytetarë në Prishtinë e morën këtë vaksinë.