Një 55-vjeçar është djegur brenda veturës në fund të muajit dhjetor në Prizren. I gjithë rasti u cilësua si vetëvrasje. E kjo nuk ishte e vetmja, pasi gjatë vitit që lëmë pas ndodhën edhe 39 vetëvrasje të tjera.
Ky numër është në rënie, pasi në vitin 2022, kishin ndodhur 41 raste të tilla. Në gjithë këto situata të rënda, është një organizatë që po ndihmon në parandalim.
Ata kanë hapur një linjë telefonike falas dhe në mënyrë anonime, ku telefonatat trajtohen pa paragjykime nga vullnetarë.
Quhet “Linja e Jetës”, ku vetëm gjatë këtij viti kishin rreth 7 mijë thirrje, e ku gjatë bisedave i treguan se nuk janë vetëm.
Megjithë suksesin e arritur që nga vitit 2019, kur edhe u krijua kjo linjë telefonike, sfidë i mbetet orari, pasi punojnë vetëmnga ora 14:00 deri në orën 2:00 pas mesnate, e jo 24 orë, në shtatë ditë të javës. E gjithë kjo për shkak të mungesës së parave.
Drejtori i organizatës “Linja e jetës“, Bind Skaja për KP, tha se që nga viti 2019, kur është themeluar ‘Linja e Jetës’, nuk ka ndonjë telefonatë që ka përfunduar në vetëvrasje.
Skaja: Ende nuk ka ndonjë telefonatë që na ka përfunduar në vetëvrasje prej që jemi themeluar në 2019
“I kemi marrë diku 7000 thirrje ...01:31 Varet prej individit dhe prej rrethanave. Ne jemi pa limit, linjë telefonike për parandalim të vetëvrasjes dhe jemi kryesisht shërbim emergjent që domethënë nëse dikush është në prag të vetëvrasjes, ne atëherë mundemi me bo më së shumti ndihmë, dhe mundemi me ndikuar më së shumti tek individi, pastaj varet dhe prej faktorëve social, dhe prej sa po ka mbështetje nga një komunitet, për shkak që ne nëse telefonon dikush që është viktimë e dhunës, ne nuk mundemi me shkuar me ia ndalu dhunën por rastin duhet me drejtuar në polici apo në strehimore. E sapo ka bashkëpunim me këto organe tjera, aty po është pikëpyetja, ne po jemi efektiv në parandalimin e vetëvrasjes në ato momente. Ende nuk ka ndonjë telefonatë që na ka përfunduar në vetëvrasje prej që jemi themeluar në 2019”, tha Skaja.
Skaja theksoi se “Linja e Jetës”, nuk ofron këshilla, por tenton të dëgjojnë se çka është problemi dhe në fund të përfundojnë bashkëbisedimin me personin që të bien në një përfundim të përbashkët.
Skaja: Nuk rekomandojmë me dhënë këshilla pasi situatat janë individuale
“Këshilla nuk iu ofrojmë ne personave, ne kryesisht tentojmë me i dëgjuar çka është problemi dhe pastaj me përfunduar bashkëbisedim me personat me një përfundim të përbashkët. Nuk rekomandojmë me dhënë këshilla për shkak se situata e personit është totalisht individuale, dhe nuk besoj që ka diçka universale, ndonjë këshillë që mundesh me ia dhënë ti dikujt që e nxjerr prej çfarëdo situate që është, përkundrazi duhet me e trajtuar çdo storie, çdo tregim që të vjen diçka unike dhe pastaj me u ballafaquar me të”, u shpreh ai.
Sipas tij, arsyeja që punojnë nga ora 14:00 deri në 2:00 pas mesnate e jo 24 orë, është që nuk kanë financa për të paguar punëtorët dhe energjinë elektrike. Ai shtoi se po synojnë që të bëhet 24/7.
Skaja: Tërë kohën jemi duke synuar që ta bëjmë 24/7 linjën e jetës
“Ne tërë kohën jemi duke synuar që të bëhet 24/7 linja e jetës, kjo ka qenë objektiva jonë e parë, por për ta arrit atë duhen paratë, për me i mbajt dritat ndezur, për me paguar stafin që vinë dhe punojnë, internetin, e gjëra esenciale për me pas mundësi me menaxhuar Linjën e Jetës. Gjithashtu, duke e pasur parasysh që e gjithë puna bëhet pa profit, thirrjet janë pa pagesë, dhe për shkak që ne nuk i kemi mbërri fondet për me e realizuar këtë, për këtë shkak jemi me një orar të shkurtuar. A është më mirë prej 14:00 deri në 2:00 apo hiç, besoj që të gjithë pajtohemi që është më mirë kështu e me tentuar, me synuar me bërë vazhdimisht 24/7 funksionalitetin”, vijoi ai.
Ai shtoi se ata që kanë mendime për të bërë vetëvrasje, duhet të jenë të lirë për të telefonuar dhe për ta kuptuar se nuk janë vetëm.
Skaja: Le ta dinë që nuk janë vetëm
“Nëse kanë nevojë njerëzit me telefonuar në çfarëdo situate, munden me thirr tek linja e jetës, është numri 0800-12345 totalisht pa pagesë, totalisht anonim, neve nuk ka del numri i personit që na telefonon, dhe vetëm le ta dinë që nuk janë vetëm, që pavarësisht situatës ne jemi të gatshëm për me i mirëprit”, theksoi ai.
Përndryshe, sipas statistikave që Policia e Kosovës i ka dërguar KosovaPress-it, nga janari deri në nëntor të vitit që lamë pas, janë vetëvrarë 39 persona. Ndërsa, në vitin 2022, janë vetëvra 43 persona.
Kushdo që ndihet vetëm dhe ka nevojë për mbështetje, mund të telefonojë në numrin 0800-12345, pa pagesë dhe anonim.