Sveçla takon Walkerin: Falë tij bota reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë

Aktuale

Sveçla takon Walkerin: Falë tij bota reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë

Më: 16 janar 2024 Në ora: 17:12
William Walker dhe Xhelal Sveçla

Falë angazhimit te ambasadorit, William Walker, bota e njoh dhe reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë në Kosovë deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla priti në MPB ambasadorin Walker dhe theksoi se për gati dy orë takim kanë biseduar për progresin e Kosovës.

“Kisha nderin e madh të mirëpres sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme mikun tim të veçantë, mikun e përhershëm të popullit shqiptar, zërin e së vërtetës, atë të Reçakut, Ambasadorin William Walker. Për gati dy orë takim të përzemërt biseduam për progresin e Republikës së Kosovës, për demokratizimin e institucioneve tona si shembull në rajon e për angazhimin tonë të përditshëm në sundimin e rendit, ligjit, luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka potencuar se çdo fjalë e ambasadorit Walker është motiv i madh për të gjithë ne.

“Secila fjalë admiruese e tij për përparimin e vendit tonë është motiv i madh për të gjithë ne. Ambasadori Walker është dhe do të mbetet gjithmonë miku ynë i madh, falë angazhimit të së cilit mbarë bota njohu dhe reagoi ndaj gjenocidit të Serbisë në vendin tonë”, ka shtuar Sveçla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat