Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë dhe personalitet tjera ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kanë bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, në 18-vjetorin e vdekjes.
Presidentja Osmani tha se do t’i ruajnë aleancat që ka krijuar Rugova për të ecur drejt vizionit të tij për një Kosovë në BE dhe NATO.
Osmani: Rugova, ati themeltar dhe arkitekt i pavarësisë së vendit tonë
”Sot përkujtojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë. Njeriun që ia kushtoj çdo ditë të jetës së tij, lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punojë në radhë të parë me popullin e Kosovës dhe në radhë të dytë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtet pas shumë sakrificave të popullit tonë. Presidenti Rugova arriti që në një kohë të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhen Kosovës, prandaj sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e kujtojnë Rugovën për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Kurti: Rugova e kuptonte ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore
“Sot në 18 vjetorin e tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile. Si shkrimtar shqiptar dhe kritik letrar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të nëntëdhjeta. U prehtë në paqe dhe i qetë“, tha ai.
Homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova kanë bërë edhe drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.